Kryebashkiaku i Fierit i jep djalit të Gramoz Ruçit 50 mijë m2 tokë

Djali i ish-kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka përfituar një sipërfaqe gjigante toke buzë detit Adriatik, në zonën e Topojës, Fier, për ndërtimin e një parku fotovoltaik, me firmën personale të kryebashkiakut Armando Subashi, dikur vartës politik i vetë Ruçit.
Sipas dokumenteve zyrtare, Ledian Ruçi, përmes kompanisë së tij “SLR Albania” sh.p.k., ka marrë në përdorim 50.000 metra katrorë tokë ranishte në zonën kadastrale nr. 3358, me kontratë qiraje të firmosur më 9 korrik 2022 ndërmjet Bashkisë Fier dhe subjektit privat.
Në të njëjtën pasuri, kompania ka planifikuar ndërtimin e një impianti gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike me kapacitet 2 MW dhe veprat ndihmëse përkatëse. Projekti është miratuar së fundmi nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, duke i hapur rrugë ndërtimit të parkut diellor në një prej zonave më të lakmuara të bregdetit fierak.
Në dokumentet shoqëruese theksohet se:
“Sipërfaqja e përgjithshme e pronës së marrë me qira është 50.000 m², ndërsa sheshi i ndërtimit për zhvillimin e parkut fotovoltaik përfshin rreth 20.000 m².”
Kompania “SLR Albania” rezulton në pronësi të plotë të Ledian Ruçit, i lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë. Shoqëria është krijuar në vitin 2022 dhe ka si objekt veprimtarie projektet e prodhimit të energjisë diellore dhe të erës në territorin shqiptar.
Megjithëse formalisht është një sipërmarrje private, lidhjet e ngushta mes përfituesit dhe drejtuesve të institucioneve që kanë dhënë lejet ngrejnë dyshime për konflikt të pastër interesi. Armando Subashi, firmëtari i kontratës së qirasë dhe kryetar i Bashkisë Fier, ka qenë për vite me radhë njeriu politik më i afërt i Gramoz Ruçit në qarkun e Fierit.
Në këtë mënyrë, vetëm tre vite pas dorëheqjes së Ruçit nga jeta parlamentare, djali i tij arrin të sigurojë një pasuri publike strategjike, në një zonë ku ndërtime të tilla janë kufizuar për shkak të mbrojtjes së bregdetit dhe karakterit ranor të tokës.
Një leje me peshë politike, që tregon se pushteti dhe ndikimi nuk dalin kurrë në pension, thjesht kalojnë brez pas brezi.

About Krye Redaktor

Check Also

Agron Shehaj mbështet Binajn për Tiranën/ Jam 100% i bindur se mund të fitojmë!

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar mbështetjen e tij për kandidatin e pavarur …