Nga Bujar Leskaj
Mbas vendimit të Kryesisë së PDSh-së, ditën e djeshme dhe sot, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit 2025 për Bashkinë Vlorë, Partia Demokratike dega Vlorë ka vijuar takimet dhe konsultimet me strukturat e saj drejtuese, Kryesinë e degës, Forumin Rinor dhe Lidhjen Demokratike të Gruas.
Në këto mbledhje janë diskutuar dhe propozuar emrat e mundshëm/potencial për kandidatin që do të përfaqësojë PD-në në garën për Kryetar Bashkie.
Në bazë të vendimit të para dy ditëve të Kryesisë së PDSh-së, përveç propozimeve që kanë ardhur nga strukturat tona, gjatë këtyre ditëve kemi qenë në kontakt edhe me kandidatë të vetëpropozuar nga radhët e shoqërisë civile, të cilët kanë shprehur vullnetin për t’u bërë pjesë e kësaj gare dhe të cilët do kenë mbështetje nga Partia Demokratike në Vlorë.
Kandidatët që do shqyrtohen nga Kryesia e PDSh-së për përfaqësimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 9 nëntorit 2025 për Bashkinë e Vlorës përfshijnë:
-Figura politike me përvojë dhe kontribut në strukturat e Partisë Demokratike Vlorë;
-Të rinj aktivë dhe të angazhuar pranë Forumit Rinor të PD-së në Vlorë;
-Përfaqësues nga shoqëria civile, që kanë shprehur vullnetin për të qenë pjesë e procesit dhe për të ndërtuar sëbashku me Partinë Demokratike një alternativë të ndershme dhe qytetare për qytetin e Vlorës.
Lista e plotë e emrave do t’i përcillet Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë për vendimmarrjen përfundimtare mbi kandidaturën zyrtare për Bashkinë e Vlorës.
Propozimet më të spikatura, janë propozime nga Forumi Rinor dhe individë nga radhët e shoqërisë civile.
Partia Demokratike Vlorë mbetet e angazhuar për një proces të hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës, që i jep qytetarëve të Vlorës mundësinë të kenë një alternativë të qartë dhe të besueshme për ndryshim më 9 nëntor.