Peleshi i pambuktë dhe parlamenti prej leshi që s’ka turp të ketë turp

Nga Luçiano BOÇI

Kjo nuk është më politikë dhe kjo nuk është lojë fjalësh.

Kjo që servirin këta sot është një orgji morale në sytë e një kombi që e kanë lodhur, shkelur e grabitur.

Parlamenti i Shqipërisë, institucioni që duhet të ruante kujtesën dhe dinjitetin e Republikës, me iniciativën e Peleshit të pambuktë dhe të Marrit me lesh, ka shkelur mbi to me çizmen e injorancës dhe poshtërsisë.

Kanë futur pa as më të voglin turp në listën e “personaliteteve që duhen nderuar” diktatorin Enver Hoxha.

O tempora, o mores!!!

E ky nuk është thjesht një turp. E gjitha kjo është tradhti ndaj historisë.

Është zhvarrosje e atyre që u pushkatuan pa gjyq.

Është dhunë ndaj çdo burri, gruaje, të riu e të reje që u internua, u degdis, u torturua fizikisht e emocionalisht nga terrori e falangat e diktaturës hoxhiste.

Dhunë ndaj çdo fëmije që u rrit me dhimje në sy e zemër pas telave me gjemba.

Të listosh Enver Hoxhën ndër personalitetet që duhen nderuar është një krim historik e moral.

Është një diversion ndaj kujtesës e sakrificave dhe fyen çdo shqiptar që beson te liria.

Në këtë vend ku martirët e komunizmit ende nuk kanë drejtësi, këta lolo të historisë guxojnë me Parlamentin e futur në xhep, të glorifikojë xhelatin e tyre.

Dhe e bëjnë këtë me një buzëqeshje të vakët, me trashësinë e zgjuar “intelektuale” që i karakterizon, me gjuhën e stilizuar me dokrra e doktrinë, me ca përfaqësues politikë që binden si automatë partie, me heshtjen servile të atyre që kanë harruar me ndërgjegje të pastër se çfarë është të ndiesh turp të zi.

Asgjë nuk është e rastit.

Barku që e polli është mbarsur nga fryma antishqiptare dhe antinjerëzore dhe pasardhësit e trashëguar përkëdhelin sot bustet e krimit historik.

Regjimet nuk ushqehen vetëm nga dhuna e paraja, por kanë uri dhe për pjesë të zeza historie me paraardhës gjakatarë e çnjerëzorë.

Pas kësaj ky parlament dhe kjo qeverisje e ata që e drejtojnë, nuk janë më përfaqësues të popullit, por të përbaltjes dhe të përdhosjes së tij.

Ky parlament e kjo qeverisje s’kanë më turp të kenë turp.

Ato sot janë dëshmia që historia mund të përdhunohet në emër të harresës kolektive për të sanksionuar nga aty autokracinë “e pambuktë” të njerzve prej leshi.

E pra, kjo nuk është më politikë.

Kjo është luftë!

About Redaksia

Check Also

Drejtësi e vrarë dy herë

Nga Lutfi DERVISHI Vrasja e një gjyqtari brenda sallës së gjyqit nuk ishte thjesht një …