Gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja, u vra ditën e djeshme në sallën e gjyqit nga 30-vjeçari Elvis Shkambi, i cili, së bashku me xhaxhain e tij kishte vite që endej gjyqeve për një pronë në Shkodër.
Në pranga u vu roja i Gjykatës së Apelit, Banush Koxhaj, pasi kamerat e sigurisë treguan se 63-vjeçari nuk ka kryer kontrollin përkatës, edhe pse skaneri ka konstatuar në momentin që Elvis Shkambi hyn në gjykatë, prezencën e objekteve metalike.
Pasi gjyqtari Astrit Kalaja shpalli vendimin, Elvis Shkëmbi, që ndodhej në sallë, nxorri i pashqetësuar nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit Astrit Kalaja dhe ndaj palës paditëse, baba e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj.
Kjo ngjarje tronditëse bërtet me të madhe fjalën dështim në punën e Policisë së Shtetit për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve dhe integritetin e gjykatave.
Siguria në gjykata është pothuajse inekzistente dhe këtë e ka dëshmuar ditën e sotme edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor i cili informon se, në të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku.
Kjo deklaratë e KLGJ vjen si një shuplakë e fortë ndaj qeverisë Rama dhe ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakut, dhe drejtorit aktual Ilir Prodës, të cilëve edhe pse u është kërkuar shtimi i punonjësve të policisë në ambientet e brendshme të gjykatave dhe sallave të gjykimit, i kanë refuzuar duke mos u ofruar siguri.
Ministrja e Brendshme e Ramës, Albana Koçiu, u bë tejet qesharake dje kur deklaroi se nuk është punë e Policisë së Shtetit të kontrollojë hyrje-daljet nëpër gjykata.
“Forcat e Policisë së Shtetit – të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave – kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.”– tha Koçiu duke u përpjekur të “lajë duart”.
Duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet e kryeministrit Edi Rama i cili flet me karshillëk për rritjen e sigurisë në gjykata, KLGJ e cilëson ngjarjen një sulm ndaj vetë themeleve të drejtësisë, ndaj autoritetit të gjykatës dhe ndaj rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh sot në Mbledhje të Jashtëzakonshme, për të shqyrtuar rrethanat e ngjarjes dhe për të analizuar masat aktuale të sigurisë në gjykata.
Në përfundim të mbledhjes, Këshilli vendosi të bëjë publike të gjitha shkresat dhe korrespondencën zyrtare që ka zhvilluar me institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë në ambientet gjyqësore, me qëllim transparencën dhe informimin e publikut.”- shprehet KLGJ në një deklaratë në rrjete sociale ku tregon refuzimet e kërkesave të tyre për mbrojtje nga forcat e Policisë së Shtetit.
KLGJ specifikon se në zbatim të pikës 2 të VKM Nr. 333, datë 28.04.2010, “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore”, gjykatat duhet të ruhen nga punonjës të Policisë së Shtetit, për të garantuar rendin dhe qetësinë gjatë seancave gjyqësore. Jashtë orarit zyrtar, ruajtja kryhet nga “Illyrian Guard”, e cila është një kompani shtëtërore në varësi të Ministrisë së Mbrendshme.
KLGJ thekson se “duke vlerësuar se gjykatat janë objekte të një rëndësie të veçantë, Këshilli ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se mungesa e prezencës efektive të policisë në sallat e gjyqit krijon risk serioz për sigurinë e gjyqtarëve, stafit dhe publikut”.
Me shkresën nr. 5489/1 Prot., datë 02.11.2023, drejtuar Policisë së Shtetit dhe për dijeni Ministrisë së Brendshme, Këshilli ka kërkuar shtimin e punonjësve të Policisë së Shtetit në ambientet e brendshme të gjykatave dhe sallave të gjykimit gjatë zhvillimit të seancave.


Në përgjigje, me shkresën nr. 9683/3 Prot., datë 11.12.2023, Policia e Shtetit ka njoftuar se “aktualisht e kemi të pamundur shtimin dhe planifikimin e punonjësve të policisë për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, për shkak të limitit të kufizuar të personelit policor”.


Pas kësaj përgjigjeje, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me shkresën nr. 5489/3 Prot., datë 15.12.2023, i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar ndërhyrje urgjente: “Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit të kërcënimeve ndaj gjyqtarëve, si pasojë e ushtrimit të detyrës, kërkojmë marrjen e masave për shtimin e organikës dhe planifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe prezencën e tyre gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore publike.”


Këshilli i Lartë Gjyqësor apelon për përgjegjësi të menjëhershme institucionale nga organet ligjzbatuese dhe ekzekutive, për të garantuar sigurinë fizike të gjyqtarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në proceset gjyqësore.
“Ngjarje të tilla nuk mund të trajtohen si raste të izoluara, ato kërkojnë reagim të fortë, sistematik dhe të koordinuar, në mënyrë që të mos përsëritet më kurrë një humbje jete në sallën e gjyqit, vendi ku drejtësia duhet të mbrohet, jo të rrëzohet.”- përfundon deklaratën Këshilli i Lartë Gjyqësor. /BoldNews