CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Deputetët e PD homazhe në nder të gjyqtarit të vrarë Astrit Kalaja!

Në homazhet që po mbahen në Pallatin e Kongreseve në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra tragjikisht brenda sallës së Gjykatës së Apelit me tre plumba, morën pjesë edhe grupi parlamentarë i Partisë Demokratike.

Ndërkohë vrasja e gjyqtarit Kalaja është diskutuar sot edhe në Konferencën e Kryetarëve, ku kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka kërkuar maxhorancës të nisë procedurat për shpalljen e tij “Dëshmor i Atdheut”.

Nga ana e saj, mazhoranca nuk është shprehur lidhur me këtë kërkesë. Edhe Partia e Lirisë ka dalë me qëndrim të njëjtë, duke kërkuar që Kalaja të shpallet “Dëshmor i Atdheut”, duke theksuar se ai u vra në krye të detyrës, në një institucion të drejtësisë, çka e bën ngjarjen edhe më të rëndë për shoqërinë dhe shtetin.

Ndërkohë, që prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm kanë nisur homazhet në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra me armë zjarri ditën e hënë, brenda sallës së seancave në Gjykatën e Apelit.

Që në orët e para të mëngjesit, në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku po zhvillohen homazhet, kanë mbërritur personalitete të shumta nga sistemi i drejtësisë dhe politika, për të nderuar figurën e tij. Të pranishëm në homazhe janë parë: prokurorë, kolegë, avokatë, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve dhe politikës shqiptare.

Homazhet në Tiranë do të përfundojnë në orën 11:00. Më pas, trupi i gjyqtarit Kalaja do të përcillet drejt qytetit të lindjes, Shkodër, ku do të mbahen homazhe të tjera nga ora 14:00 deri në 16:00, për t’u varrosur më pas në qytetin e tij.

 

About Redaksia

Check Also

PD dhe opozita me kandidatë të pavarur në të 6 bashkitë

Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se për të 6 bashkitë që do të mbajnë …