Deputeti i PD, Klevis Balliu tha gjatë fjalës së tij në Kuvend se, kriminelët në kohën e PD-së nuk vinin në parlament, por shkonin në burg. Ai iu drejtua socialistëve se, ju i nxorët nga burgu dhe i futët në punë në bashki.
“Asnjë nga kolegët e mazhorancës nuk mban fjalën për procedurë, qoftë ministri, qoftë kryetari i grupit parlamentar përveçse vijnë këtu dhe thonë se fajin e ka opozita.
Ministrja e Brendshme duhet të jepte dorëheqjen, sepse ka dhënë një deklaratë ku ka thënë se “nuk është çështje e policisë”, ndërkohë që KLGJ-ja i është përgjigjur dhe i ka nxjerrë provën dhe dokumentin që tregon se është pikërisht puna e saj. Ai që ka ngjitur shkallët ka qenë zëvendësministër i Brendshëm ka përgjegjësi.
Ndodh vrasja në gjykatë nuk dimë gjë, e ka fajin opozita. Ndodhin vrasjet e fëmijëve në shkolla e ka fajin TikTok. Ndodhin vrasjet e qytetarëve nga përplasja e bandave që i sillni ju në parlament kush e ka fajin? Prapë opozita!
Siguria nuk është e PD-së, o zotëri! Kemi fëmijë vetë, i kemi shkollat të pasigurta sepse nuk gjeni policë. Gjykatat janë të pasigurta sepse nuk gjeni policë. Ju të gjithë duhet të çoheni në këmbë dhe të flisni për këtë çështje. Dhe kryeministri duhet të ishte në këtë seancë për këtë çështje. E ka kthyer këtë institucion si një lokal, ku herë i pëlqen dhe herë nuk i pëlqen të vijë. Këtu ka detyrim kushtetues të vijë dhe të përballet me akuzat, nëse ato nuk janë të vërteta.
Sa i përket ofendimeve që u bëhen deputetëve dhe kërkesave për përjashtime – po si ka mundësi, zoti kryetar, që e njëjta parti që ka sjellë deputetë që fshihnin vrasës në Durrës, kërkon përjashtimin e atyre që i kanë arrestuar ata vrasës?
Kriminelët në kohën e PD-së nuk vinin në parlament shkonin në burg. Ju i nxorët nga burgu dhe i futët në punë në bashki. Tani të rrijmë e të dëgjojmë përralla se fajin e ka opozita? Kjo është një nga ngjarjet më të rënda nuk kemi siguri për jetën, për fëmijët, për familjen, për institucionet.
Po shtohen laboratorët e kokainës dhe po pakësohen shkollat. Ky është një problem kombëtar. Njeriu të cilit po i shërbeni, cenon sigurinë kombëtare, familjen tuaj, timen dhe të gjithë atyre që janë këtu”, tha Balliu.