Institucioni që “prodhon” alibi ligjore për mungesën e transparencës dhe llogaridhënies në administratën publike!

Nga Bujar Leskaj

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është institucioni që, sipas ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, plotësuar me Ligjin Nr. 33/2022 “Per të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik” duhet të garantojë dy shtylla thelbësore të demokracisë moderne: transparencën publike dhe mbrojtjen e privatësisë.

Kur lexojmë Raportin për vitin 2024, pyetja që duhet të shtrojmë është se sa ky Komisioner i ka shërbyer transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike që duhet të monitorojë?

I. Zero kontribut në transparencën dhe llogaridhënien publike

Për fat të keq, në praktikë, ky institucion është kthyer më shumë në një zyrë formale, sesa në një autoritet efektiv që nxit transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve shtetërore.

Edhe pse ligji i jep kompetenca të qarta për të monitoruar zbatimin e së drejtës për informim, Komisioneri rrallë ka ndërhyrë në mënyrë efektive kundër institucioneve që refuzojnë të publikojnë të dhëna publike.

Shumë vendime të Komisionerit kanë qenë të vonuara dhe pa pasoja reale, pasi institucionet shpesh i injorojnë këto vendime, pa u ndëshkuar. Si çdo vit, për fat të keq, edhe për aktivitetin gjatë vitit 2024, raporti vjetor i Komisionerit pasqyron numrin e ankesave, por jo ndikimin konkret që vendimet e tij kanë pasur në hapjen e të dhënave publike dhe informimin korrekt të qytetarit, mediave dhe madje edhe vetë deputetëve, sa herë këta të fundit kanë kërkuar pranë Komisionerit që t’i detyrojë institucionet publike të japin informacionin e duhur.

Mungesa e ndjekjes gjyqësore për moszbatim të vendimeve ka bërë që transparenca të mbetet një detyrim formal, jo praktik.

II. Komisoneri: kampion i mbrojtjes së mungesës së transparencës të institucioneve publike!

Viti 2024 provoi të ishte pa dyshim një nga vitet më problematike për institucionin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në vend që të forconte rolin e tij si garant i transparencës, Komisioneri u përfshi në disa skandale të denoncuara dhe bëra publike nga mediat, të cilat zbuluan (i) varësinë e plotë të tij nga maxhoranca, (ii) mungesën e vullnetit institucional për të mbrojtur të drejtën për informim dhe (iii)përdorimin selektiv të ligjit për “mbrojtjen e të dhënave personale”, për të kufizuar aksesin në informacion publik.

Së pari, një nga çështjet më të përfolura në media gjatë vitit 2024 ishte refuzimi i kërkesave për informacion mbi kontratat koncesionare dhe tenderat publikë, ku disa institucione shtetërore,  përfshirë ministri, bashki dhe agjenci qendrore mohuan publikimin e të dhënave mbi përfituesit dhe vlerat reale të kontratave.

Në vend që të urdhëronte publikimin e informacionit, Komisioneri (i) justifikoi fshehjen e të dhënave, gjoja me argumentin se ato përmbanin elementë “të ndjeshëm ekonomikë”?!, (ii) nuk aplikoi asnjë sanksion ndaj institucioneve që nuk zbatuan afatet ligjore për përgjigje, si dhe (iii) nuk publikoi raport transparent mbi vendimet e marra për këto raste.
Mediat e konsideruan me të drejtë këtë sjellje si një akt të qartë të mbrojtjes së mungesës së transparencës, duke përmendur si shembuj konkretë rastet e kontratave në fushën e infrastrukturës dhe të shëndetësisë publike.

Së dyti, në muajt prill–qershor 2024, disa portale investiguese raportuan se Agjencia e Prokurimeve Publike kishte refuzuar dhënien e informacionit mbi tendera të klasifikuar si “konfidencialë”. Kur gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile ankimuan rastin te Komisioneri, institucioni nuk ndërhyri në mbrojtje të së drejtës për informim, por e konsideroi të justifikuar vendimin e APP-së.

Kjo solli reagime të forta publike, pasi ligji për të drejtën e informimit e njeh si informacion publik çdo dokument që lidhet me shpenzimin e fondeve publike. Organizatat si “BIRN Albania” dhe “AIS/Open Data” deklaruan se ky ishte një precedent i rrezikshëm, që i lejon institucioneve të përdorin termin “konfidencial”, për të fshehur abuzimet me fondet publike.

Së treti, skandali mbi të dhënat e punësimeve publike. Në gjysmën e dytë të vitit 2024, disa media raportuan se disa institucione kishin refuzuar të publikojnë listat e punësimeve dhe emërimeve në administratën publike, duke u justifikuar se bëhej fjalë për “të dhëna personale”.

Kur rastet iu referuan Komisionerit, institucioni mbajti anën e institucioneve publike, duke e quajtur kërkesën për publikim “cënim të privatësisë”. Kjo dëshmon qartë të paktën miopinë e rëndë të Komisionerit, për të mos folur për papëgjegjshmëri kronike, pasi transparenca për punësimet publike është një nga treguesit kryesorë të integritetit dhe meritokracisë në administratën shtetërore.

Me të drejtë mediat e cilësuan qëndrimin e Komisionerit si një alibi ligjore për mungesën e llogaridhënies në administratë.

Së katërti, gjatë vitit 2024, disa institucione qendrore, përfshirë bashki dhe agjenci ekzekutive, nuk zbatuan vendimet e Komisionerit për publikimin e informacionit, por vetë Komisioneri nuk mori asnjë masë ndëshkuese. Raportet mediatike zbuluan se asnjë gjobë administrative nuk ishte vendosur për moszbatim të ligjit, edhe pse ligji i jep Komisionerit kompetenca të qarta për të ndëshkuar shkelësit.

Kjo sjellje solli kritika të forta nga organizatat e transparencës, aktive dhe të pavarura tek ne, të cilat theksuan se mosveprimi institucional është vetë një formë mohimi i së drejtës për informim.

Së pesti, një tjetër element që u bë temë shqetësimi dhe denoncimi në media ishte mungesa e transparencës së vetë institucionit të Komisionerit. Portale të ndryshme investigative raportuan se faqja zyrtare e institucionit (i) nuk përmbante të dhëna të përditësuara mbi buxhetin dhe shpenzimet, (ii) nuk publikonte vendimet e plota administrative, si dhe (iii) nuk kishte raport të detajuar mbi ankesat dhe mënyrën e trajtimit të tyre.

Për fat të keq, konstatoj se 2024-a ishte një vit i humbur për të drejtën e informimit. Ky vit ekspozoi qartë dobësitë strukturore dhe varësinë e thekshme politike të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në vend që të mbrojë qytetarët dhe mediat, institucioni u perceptua nga qytetarët dhe mediat si një mburojë ligjore për fshehjen e informacionit publik.

III. Komisoneri: kampion i mosmbrojtjes së privatësisë së qytetarëve!

Viti 2024 nxori në pah edhe një sërë skandalesh që goditën besueshmërinë e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, institucionit që, sipas ligjit nr. 9887/2008, duhet të jetë “rojtar i privatësisë” së qytetarëve shqiptarë. Në vend që të garantonte mbrojtjen e të dhënave personale në një kohë kur dixhitalizimi i administratës po zgjerohej me ritme të shpejta, Komisioneri u akuzua për mosveprim, pasivitet dhe shpesh bashkëfajësi institucionale, në disa prej ngjarjeve më të bujshme të vitit.

Së pari, në pranverën e vitit 2024, mediat raportuan për një tjetër rrjedhje masive të të dhënave personale nga databaza të institucioneve shtetërore, që përfshinte emra, numra ID, paga, numra telefoni dhe të dhëna të punësimit të mijëra qytetarëve.

Ndryshe nga pritshmëritë, Komisioneri (i) nuk reagoi menjëherë publikisht, duke u mjaftuar me një deklaratë të përgjithshme pas disa ditësh, (ii) nuk kërkoi hetim administrativ të plotë ndaj institucioneve që ruanin databazat, si dhe (iii) nuk publikoi një raport transparent për shkaqet, përgjegjësitë dhe masat parandaluese.

Kjo mungesë veprimi u interpretua si dështim në mbrojtjen e privatësisë dhe shkelje e misionit themelor të institucionit.

Së dyti, në maj 2024, disa portale dhe rrjete sociale publikuan të dhëna të detajuara mbi paga, pozicione dhe të dhëna kontaktuese të punonjësve të administratës publike. Në vend që të kërkonte pezullimin e publikimit dhe ndjekjen penale të përgjegjësve, Komisioneri heshti për disa javë, duke lënë të hapur rrjedhjen e informacionit në platforma të ndryshme.

Ekspertët e sigurisë kibernetike e cilësuan këtë një nga rastet më të rënda të shkeljes së të dhënave personale në historinë e shtetit shqiptar.

Së treti, në verën e vitit 2024, mediat denoncuan probleme serioze të sigurisë së sistemeve dixhitale shtetërore, përfshirë platformën “e-Albania”, ku përdoruesit raportuan qasje të paautorizuar në të dhënat e tyre. Në vend që të siguronte një auditim të pavarur të sigurisë, Komisioneri publikoi një njoftim formal ku pretendonte se “nuk kishte pasur komprometim të të dhënave personale”.

Organizatat e teknologjisë së informacionit dhe ekspertët e pavarur argumentuan të kundërtën, duke publikuar shembuj konkretë të cënimit të privatësisë së përdoruesve. Ky episod me të drejtë u pa nga mediat si një mbulim institucional i dështimit teknologjik të institucioneve publike dhe si shenjë e varësisë së plotë të Komisionerit nga ekzekutivi.

Së katërti, në fund të vitit 2024, disa kompani të mëdha të telekomunikacionit dhe shërbimeve financiare raportuan rrjedhje të të dhënave të klientëve. Sipas ligjit, këto kompani duhet të njoftonin Komisionerin dhe publikun për incidentet brenda 72 orëve.

Mediat zbuluan se në asnjë nga rastet, Komisioneri nuk kishte informuar publikun dhe nuk kishte publikuar asnjë raport mbi incidentet e sigurisë. Kjo heshtje përbën rast flagrant të shkeljes së detyrimeve për transparencë dhe të mohimit të së drejtës së qytetarëve për t’u informuar, kur të dhënat e tyre komprometohen.

Së pesti, si dhe në detyrën për të garantuar, përmes faqes së tij në internet  të drejtën e informimit, Komisioneri dështoi dhe në detyrën tjetër për të garantuar mbrojtjen e të dhënave sensitive të qytetarëve. Raportet e mediave zbuluan se faqja zyrtare nuk përmbante të dhëna të përditësuara mbi rastet e hetuara, vendimet e dhëna nuk ishin publike në formë të plotë dhe shumë ankesa qytetare mbeteshin pa përgjigje për muaj të tërë.

xxx

Skandalet e vitit 2024 ekspozuan një realitet të hidhur: Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka dështuar totalisht, duke mos garantuar as të drejtën e informimit, as edhe mbrojtjen e të dhënave.

Shumica e institucioneve qendrore dhe vendore nuk zbatojnë në mënyrë të plotë detyrimin për publikimin e informacionit të detyrueshëm sipas nenit 7 të ligjit për të drejtën e informimit. Asnjë institucion nuk është ndëshkuar seriozisht për shkelje të përsëritura. Shoqëria civile dhe media shpesh detyrohen të ndjekin rrugë gjyqësore për të siguruar të dhënat që ligji i njeh si publike.

Në vend të veprimit proaktiv nga ana e Komisionerit, kemi parë një heshtje sistematike, mungesë të hetimeve të thelluara dhe asnjë ndëshkim real për shkeljet.

Ky dështim nuk është vetëm institucional, por cënon drejtpërdrejt të drejtat themelore të qytetarëve, në një kohë kur çdo ditë e më shumë jeta jonë është e lidhur me sistemet dixhitale dhe përpunimin e të dhënave.

 

 

About Redaksia

Check Also

Berisha: Mitingu që do bëhet ka nuanca të theksuara kundër qeverisë së Kosovës! Rama kishte planifikuar 60 minuta fjalim aty

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në Kuvend dënoi politizimin e temës së …