Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme ndaj ish-shoferit të Ardi Veliut, Sokol Idrizaj, bashkëshortes së tij dhe dy vajzave të çiftit, të dënuar për pjesëmarrje në një grup kriminal që merrej me tregtinë e sendeve të vjedhura.
Sipas vendimit, Sokol Idrizaj dhe bashkëshortja Elda Idrizaj janë dënuar me 8 vite burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tyre u ul në 5.7 vite.
Egi Idrizaj, vajza e madhe e çiftit, u dënua me 7 vite burg (4.7 vite pas shkurtimit të dënimit), ndërsa Bora Idrizaj, vajza e vogël, mori 2 vite burg dhe për të u aplikua neni 59 i Kodit Penal (pezullimi i ekzekutimit të dënimit).
Ndërkohë, të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Florian Baku u dënuan me nga 11 vite burg, reduktuar në 7.5 vite pas gjykimit të shkurtuar.
Vangjush Kasharra, pronar i një argjendarie në Tiranë, është shpallur i pafajshëm për akuzën e “fshehjes së të ardhurave”, ndërsa Tomorr Baruti u dënua me 2 vite burg (1.4 vite me gjykim të shkurtuar), duke përfituar gjithashtu nga neni 59.
Sipas hetimeve të SPAK, grupi kriminal, i zbuluar në maj të vitit të kaluar, transportonte sende të vjedhura dhe me vlerë të lartë nga Franca drejt Shqipërisë, të cilat më pas shiteshin në mënyrë të fshehtë përmes argjendarisë së Kasharrës.
Nga verifikimet e kryera, u zbulua se vetëm përmes transaksioneve bankare ishin kaluar 724,386 euro për blerjen e sendeve, ndërsa 2.1 milionë euro dhe 35 mijë franga ishin futur në Shqipëri në mënyrë të paligjshme, përmes kufirit shtetëror.
Ky grup dyshohet se ka vepruar që prej vitit 2019, duke ndërtuar një skemë të mirëorganizuar për transportin dhe shitjen e sendeve të vjedhura me origjinë nga Franca.
Gazeta RD