Presidenti i Madagaskarit, Andry Rajoelina, është larguar nga vendi pas shpërthimit të protestave masive të udhëhequra nga të rinjtë, që kanë tronditur vendin për javë të tëra. Lajmin e kanë konfirmuar zyrtarë të opozitës dhe burime ushtarake për “Reuters”.
Sipas raportimeve, Rajoelina u largua të dielën me një avion ushtarak francez, pasi një pjesë e ushtrisë iu bashkua protestuesve. Një burim ushtarak tha se një helikopter e transportoi presidentin në aeroportin Sainte Marie, ku më pas u ngjit në bordin e një avioni francez “Casa”. Media franceze RFI raportoi se ai ka arritur një marrëveshje me presidentin Emmanuel Macron.
Protestat nisën më 25 shtator për mungesën e ujit dhe energjisë elektrike, por shumë shpejt u shndërruan në një kryengritje kundër korrupsionit, keqqeverisjes dhe varfërisë së thellë që prek tre të katërtat e popullsisë.
Rajoelina, i cili kishte ardhur në pushtet pas një grushti shteti në vitin 2009, humbi mbështetjen e njësisë elitare CAPSAT, e cila refuzoi të qëllonte mbi protestuesit dhe shpalli krijimin e një drejtimi të ri ushtarak.
Në kryeqytetin Antananarivo, mijëra të rinj dolën sërish në shesh duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të presidentit.
“Në 16 vite nuk kanë bërë asgjë veçse janë pasuruar, ndërsa populli është gjithnjë e më i varfër. Dhe ne, gjenerata e re, jemi ata që vuajmë më shumë,” tha një 22-vjeçar për Reuters.
Sipas OKB-së, të paktën 22 persona janë vrarë që nga fillimi i protestave. Ndërkohë, senati ka njoftuar se drejtimin e përkohshëm të shtetit do ta marrë kreu i ri i senatit deri në mbajtjen e zgjedhjeve.