Berisha: Edi Rama me aktet e tij është po aq armik ndaj Kosovës sa edhe Vuçiçi!

Lideri i opozitës, Sali Berisha tha se, Edi Rama me aktet e tij është po aq armik ndaj Kosovës sa edhe Vuçiçi! Ai theksoi se, Rama përdori teorinë e ‘tokës së askujt’ që nuk e pati thënë as Millosheviçi .
Berisha i bëri thirrje deputetëve të vizitojnë muzeun e fëmijëve të vrarë në Prishtinë për të kuptuar rëndësinë e sakrificës së tyre dhe për të reflektuar mbi qëndrimet e ngurta të disa përfaqësuesve në Parlament.
“Refuzimi që i bënë dje votimit të rezolutës për gjenocidin serb ishte akt i pashembullt, në radhë të parë në rrafshin njerëzor sepse e them këtu, për çdo njeri të qytetëruar, midis të gjitha krimeve është gjenocidi, i cili në kualifikimet e tij në rastin konkret ka vrasjen e qytetarëve të pafajshëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.
Këtyre përfaqësuesve të partisë së krimit në parlament, këtyre zonjave atyre që janë nëna, motra, u them kurrë se nuk arrij kurrë ta kuptoj ku e gjetët ju forcën për të qëndruar të ngurta ndaj sakrificës të jetës së 1400 fëmijëve që u vranë barbarisht vetëm pse ishin fëmijë shqiptarë.
Unë po marr zonjat deputete. Unë i ftoj ato të shkojnë në Prishtinë, aty ka një muze për këta fëmijë. Ta vizitojnë atë muze. Aty do gjejnë mijëra palë këpucë që përfaqësojnë ata fëmijë që nuk i veshin dot kurrë.
Dhe do kujtohen ndoshta si nëna, si motra se ç’do të thotë të tregohesh e ngurtë dhe e pashpirt para një krimi të tillë monstruoz.
Më është kujtuar dje një skenë e një romani të Viktor Hygoit. Në vitin 93, forcat e republikës dhe forcat ruajaliste, përkatësisht në rastin konkret nip dhe xhaxha, luftuan në një kështjellë.
Gjenerali u përkiste ruajalistëve. Nipi udhëhiqte forcat e revolucionit.
Kështjella mori flakë. Por në kështjellë, një grua revolucionare kishte vendosur djepin. Gjenerali e kuptoi se djepi po digjej. Hyri në kështjellë dhe doli me djepin në krah. U dorëzua.
E thotë Hygoi, edhe ky u përkul para atij agimi pafajësie që quhet fëmijë.
Kurse deputetet dje nuk gjetën forcë dhe kurajë të nderonin 1400 fëmijë të vrarë vetëm e vetëm se ishin fëmijë shqiptarë.
Një akt i tillë do shkruhet me germa të zeza në muret e parlamentit si akti më armiqësor i parlamentit ndaj kombit shqiptar.
Unë përshëndes veteranët e UÇK për lëvizjen e tyre.
Në të gjithë dijeninë time, ndjekjen time, nuk kam parë në mënyrë absolute asnjë fakt që të provojë asnjë akuzë për të cilën janë arrestuar dhe mbahen në arrest ish-udhëheqësit e luftës dhe udhëheqësit politikë më vonë të Kosovës. Asnjë!
Kjo është e vërteta.
Dhe unë uroj me zemër që ajo gjykatë të shpallë pafajësinë e tyre dhe kthimin e tyre në vendin e tyre.
Përdorimi për qëllime politike i procesit është një makabritet.
Edi Rama u tërhoq, por unë kam këtu dëshmitë që ai ishte parashikuar të fliste mbi 1 orë.
E kuptoni ju?
Do bëhej patriot njeriu që me aktet e tij është ndaj Kosovës po aq armik sa Aleksandër Vuçiçi.
Po, unë u them ju, 36 marrëveshje ishin firmosur gjer në fund të vitit 2013.
Edi Rama mori përsipër projektet e Beogradit për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve me një seri takimesh të fshehta.
Edi Rama është në histori i pari që paditi kryeministrin në detyrë të Kosovës se mbronte interesat e qytetarëve të tij.
Edi Rama, bashkë me Vuçiçin, i cili nuk e fshihte se Serbia do bëhej më e madhe me ato që do merrte në Kosovë, punoi me të gjitha forcat për ndarjen dhe shpërbërjen e pavarësisë së Kosovës.
A u kujtohet ju slogani i tij për Mitrovicën dhe veriun e Kosovës? Toka e askujt. Reminishencë kjo e qarqeve antishqiptare se sa herë donin të ndanin dhe copëtonin trojet shqiptare nxirrnin në tavolinë teorinë e tokës së askujt.
As Millosheviçi nuk e kishte thënë këtë toka e askujt.
Edi Rama është autori i Ballkanit të Hapur, dhe kur doli në Novisad me padronin e tij, vunë përpara hartën ku Kosovën e nxirrnin pjesë të Serbisë. Hartën e viteve ’70.
Kërkonte me çdo kusht që Kosova e veriut t’i shkëputej Kosovës. Madje paralajmëronte se nëse nuk ndodh kjo, do kthehej koha e bronzit, duke aluduar se Vladimir Putini do hidhte predha nukleare.
U bë i pari person që i vuri sanksione Kosovës dhe përfaqësuesve legjitimë të Kosovës. Asnjë sanksion padronit të tij Vuçiç. Asnjë!
Bëri statutin e komunave të veriut, e mori nga Beogradi dhue e publikoi sipas oreksit të Beogradit.
A ka antishqiptar si ky?
Dhe dje urdhëroi mosvotimin e rezolutës.
Janë 13 mijë shqiptarë, nga të cilët 2 mijë janë në front, por të tjerët janë vrarë për shkaqe mirëfilltas etnike. Por një antishqiptar si ky nuk pranon”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Përplasje me 30 tetor/ Rama nuk lejon hetimin nga Parlamenti të aferës së tij me McGonigal

Në Konferencën e Kryetarëve u diskutuan dy çështje kryesore lidhur me veprimtarinë e Kuvendit. Partia …