Berisha: Gjykata Kushtetuese vendosi shkelmimin e ligjit të saj organik për të larguar armiken Sonila Bejtja!

Kryetari i PD, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat reagoi ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e gjyqtares Sonila Bejtja, duke e cilësuar atë si “shkelmimin më flagrant të ligjit organik të vetë Gjykatës” dhe si “aktin më skandaloz në historinë e jurisprudencës shqiptare”.
Berisha tha se me këtë vendim është arritur shkalla më ekstreme e keqpërdorimit të Kushtetutës dhe institucioneve të pavarura”, ndërsa akuzoi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese se janë vënë në shërbim të interesave të mazhorancës dhe “monstrës sorosiane të drejtësisë.
“Dje është regjistruar shkalla më ekstreme e keqshfrytëzimit, keqadministrimit, keqpërdorimit të Kushtetutës, institucioneve kushtetuese të vendit dhe kjo është bërë me një vendim që do regjistrohet në muret e kohës, vendimi më i turpshëm në jurisprudencën e këtij vendi.
Do regjistrohet si akti më skandaloz i monstrës sorosiane, reformës sorosiane të drejtësisë.
Gjykata Kushtetuese vendosi shkelmimin e ligjit të saj.
Gjykata Kushtetuese vendosi shkelmimin e opinioneve zyrtare të Komisionit të Venecias.
Gjykata Kushtetuese bëhet notere e një serie veprimesh antikushtetuese, antiligjore të eksponentit më kryesor të mafies në drejtësinë shqiptare, me emër Sokol Sadushi dhe presidentit antikushtetues, presidentit më të padenjë në Shqipëri, në Europë dhe më gjerë.
Dje, për të larguar nga Gjykata Kushtetuese armiken Sonila Bejtja, gjykatëse kushtetuese, e emëruar në vitin 2020 me dekret të presidentit Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese vendos duke shkelmuar mbi ligjin e vet të shpallë jashtë çdo lloj kompetence ndërprerjen e mandatit të saj.
Përcaktimi i Kushtetutës në nenin 125, pika 6, se përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet më një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj, është transkriptuar, është mishëruar në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese, neni 86, pika 4, në të cilin sanksionet: Përtëritja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2022 do të bëhet sipas skemës së parashikuar më poshtë.
Pra, përtëritja me një të tretën, siç parashikon Kushtetuta, ligjvënësi e ka quajtur të drejtë ta mbajë gjer në vitin 2022.
Cilido që kishte kundërshti për këtë përcaktim të ligjit, që është ligj organik, të Gjykatës Kushtetuese, kishte të drejtën t’i drejtohej parlamentit, i cili mund të amendonte ligjin.
Por këtë nuk e bëri as Sadushi, edhe njëherë, i marrë peng nëpërmjet vetingut, të cilin në kundërshtim me Kushtetutën nuk e bëjnë publike, e mbajnë në sirtar fshehtë KLGJ-ja. Ne sigurisht do e bëjmë publike.
Qoftë vetë Bajram Limioni.
Por edhe Gjykata Kushtetuese kishte të drejtë t’i kërkonte parlamentit jo opinion për kandidaturat, se nuk ka asnjë tagër parlamenti për këtë, siç veproi, por kishte të drejtë t’i kërkonte parlamentit si ligjvënës të përcaktonte qëndrimin ndaj legjislacionit, i cili sa kohë është në fuqi, është në zbatim”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Përplasje me 30 tetor/ Rama nuk lejon hetimin nga Parlamenti të aferës së tij me McGonigal

Në Konferencën e Kryetarëve u diskutuan dy çështje kryesore lidhur me veprimtarinë e Kuvendit. Partia …