Nga Nikola KEDHI
Para pak ditësh, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, raportoi para Komisionit të Ekonomisë, një raportim që ndoshta si shumëkush e ndoqa me një shqetësim në rritje ndërsa raportimi vazhdonte. Prezantimi tërë optimizëm për gjendjen e ekonomisë shqiptare ishte tërësisht në të kundërt të vetë raporteve të INSTAT dhe të institucioneve ndërkombëtare. Sipas parashikimit të fundit të FMN-së projeksioni i rritjes për vitin 2025 u ul në 3.4%, nga 3.8% në raportin e pranverës së vetë FMN-së, një reflektim i ngadalësimit të aktivitetit ekonomik dhe jo thjesht një korrigjim statistik. Nuk është hera e parë përgjatë këtij viti që rritja ekonomike rishikohet me tendencë ulëse.
Shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese ra në tremujorin e tretë të 2025-s, ndërkohë që treguesi i ndjesisë ekonomike u ul me 1.3 pikë në shtator, sinjalizime që Guvernatori dukshëm i injoron. Unë bie dakord që ka shenja të cënimit të Bankës së Shqipërisë, sepse një Bankë vërtet e pavarur do të kishte ngritur alarmin për varësinë e ekonomisë nga paratë e pista, recesionin në bujqësi dhe industri, dhe shpopullimin masiv që po zhvesh vendin nga fuqia punëtore.
Rritja ekonomike: një iluzion i bazuar tek shteti
Rritja e pretenduar prej 3.51% në tremujorin e dytë të 2025-s nuk pasqyron fuqinë reale të ekonomisë, por varësinë nga sektori publik. Sipas INSTAT, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia kontribuuan me +1.65 pikë përqindjeje në PBB, kryesisht përmes rritjes së pagave bruto mesatare në sektorin publik. Ndërkohë, bujqësia kontribuoi negativisht me -0.46 pikë dhe industria me -0.18 pikë.
Rritja reale e ekonomisë po zhvendoset drejt shërbimeve dhe administratës, ndërkohë që sektori prodhues dhe bujqësor janë në recesion kronik. Asnjë ekonomi nuk mund të rritet në mënyrë të qëndrueshme nga zgjerimi i sektorit publik ( i cili vetë nuk prodhon asgjë dhe varet nga të ardhurat që gjeneron sektori privat dhe paratë e taksapaguesve që mbledh shteti). Nëse ekonomia e një vendi varet kryesisht nga sektori publik, duke lënë në tkurrje sektorin privat që prodhon, eventualisht do të mbarojnë paratë për të mbajtur në këmbë dhe sektorin publik. Ekonomia shqiptare, veç sektorit publik, është rritur dhe nga ndërtimi dhe shërbimet.
Siç raportojnë mediat e huaja, por dhe gazetarë shqiptarë, sektori i ndërtimit është vendi ku kanalizohen për t’u pastruar paratë e pista, në shifra që kapin minimumi 1 miliardë euro në vit vetëm në këtë sektor (para disa vitesh gazetarja Ola Xama raportonte që shifra ishte 700 milionë euro, dhe dukshëm nuk ka pasur ngadalësim në vitet e mëpasshme). Mediat e huaja raportojnë shifra të impaktit të parasë së drogës në ekonomi që arrijnë në mbi 20% të PBB-së. Imagjinoni se çfarë ndodh në momentin që, për shkak të presioneve nga jashtë, këto flukse ndalen, dhe ekonomia jonë nuk ka askund ku të mbahet. Dhe në fakt, ngadalësimi po ndodh. Revista Monitor përpara një jave raportonte se prodhimi i betonit është ngadalësuar, një nga metrikat paralajmëruese për të gjithë sektorin. Nga ana tjetër, dhe turizmi këtë vit ishte me një rritje shumë më të vogël në krahasim me rritjen dyshifrore të vitit të kaluar, me çfarë raportojnë aktorët e këtij sektori. Hyrje daljet në Rinas nuk janë një metrikë e besueshme sepse ne për shembull nuk kemi një repart më vete të tranzitit. Edhe ata të huaj që përdorin aeroportin e Rinasit për të shkuar në një destinacion tjetër final, konsiderohen si turistë.
Industria dhe bujqësia: recesion disa vjeçar
Sektori i industrisë shënoi rënie vjetore me -1.8% në tremujorin e dytë të 2025, duke vijuar tendencën e tkurrjes që nga 2023. Prodhimi industrial hyri zyrtarisht në recesion në 2024, me rënie -4.55% vjetore dhe -3.65% në industrinë përpunuese, niveli më i ulët në 15 vjet.
Bujqësia, nga ana tjetër, ka rënë për më shumë se 5 vjet: -1.6% në 2021, -4.8% në 2022, -1.3% në 2023, -2% në 2024 dhe -2.5% në tremujorin e dytë të 2025-s. Kjo tkurrje e kronike, e nxitur nga shpopullimi, braktisja totale e fermerëve shqiptarë, politikat e gabuara fiskale të ndjekura, financimet e ulëta dhe bllokimi i fondeve IPARD nga BE për korrupsion, ka reduktuar popullsinë rurale me 20%.
Tregu i punës: punësim i dobët dhe rikthim i pensionistëve
Punësimi ra 0.8% në tremujorin e parë të 2025-s. Bujqësia humbi 9.3% të punësimeve vjetore, ndërkohë që shërbimet u rritën me 6.4%. Fenomen shqetësues është rikthimi i 120,142 pensionistëve mbi 65 vjeç në tregun e punës (rritje 46.8% nga viti 2023), duke reflektuar mungesë të vendeve të punës për të rinjtë dhe pensione të ulëta mesatare në qytet. Papunësia totale mbetet 8.7%, me të rinjtë në 17.9%. Por dhe kjo metrikë e papunësisë nuk është e duhura, në këndvështrimin tim. Norma e papunësisë mat ata që janë të papunë brenda tregut të punës, pra ata që sapo kanë humbur punën ose janë aktivisht duke kërkuar për punë. Ç’ndodh me ata që kanë më shumë se 1 vit papunë dhe nuk janë duke kërkuar, duke iu dorëzuar skemave të papunësisë qeveritare, apo më keq, në fund largohen nga vendi? Ata nuk konsiderohen në përqindjen e normës së papunësisë.
Nga ana tjetër, janë të shumtë sektorët që raportojnë vazhdimisht mungesa në forcën punëtorë. Zgjidhja e paraqitur nga qeveria është importimi i një force punëtore të huaj, me kosto të ulët nga vendet Aziatike apo Afrikane, për të zëvendësuar Shqiptarët e ikur. Përveç faktit që një zgjidhje e tillë është antikombëtare, nuk ka zgjidhur asgjë për sa i përket mungesës së forcës punëtore, e sidomos asaj të kualifikuar. Në të shumtën e rasteve, edhe ata që vijnë e shohin Shqipërinë si një trampolinë për në Bashkimin Europian.
Konsumi dhe fuqia blerëse: e dobësuar nga inflacioni dhe zhvlerësimi i euros
Guvernatori foli për konsumin e fortë e të qëndrueshëm që mban ekonominë shqiptare. Ekonomia shqiptare, siç e thashë më sipër, nuk prodhon, duke u mbajtur te importet. Por dhe ato po shfaqin ngadalësim, duke parë shifrat për 8-mujorin 2025. Vlera totale e mallrave të importuara në periudhën janar–gusht 2025 ka shënuar një rënie me 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Konsumi, sipas INSAT, është mbajtur vetëm nga turizmi sezonal, ndërsa importet e mallrave tregojnë për frenim të aktivitetit në pjesën më të madhe të sektorëve të prodhimit, duke përfshirë edhe ndërtimin.
Inflacioni ushqimor 12.5% në 2024 ka goditur familjet që shpenzojnë 41.3% të buxhetit në ushqim. Familjet e varfëra shpenzojnë rreth 60% të shpenzimeve totale për ushqim, duke e ndjerë edhe më tepër rritjen e çmimeve të ushqimeve. Ulja prej 30% e euros që nga viti 2015 ka goditur rëndë eksportet dhe prodhimin. Statistika se eksporti ishte rimëkëmbur këtë vit doli e pavërtetë nga një hulumtim i Revistës Monitor, që vërejti se qeveria ka konsideruar eksport dhe mallrat tranzit për në Kosovë Nëse heqim këto, eksportet vazhdojnë rënien e nisur prej vitesh.
Investimet dhe PPP: pakësohen dhe përqendrohen
Investimet e huaja direkte arritën 1.58 miliardë euro në 2024, një rritje modeste nga 2023, që vjen nga riinvestimi i fitimeve të investitorëve aktualë, dhe nga investimet në sektorin e pasurive të paluajtshme. Pra, nuk ka investitorë të rinj, dhe sidomos të mëdhenj, dhe nuk ka diversifikim të investimeve, e veçanërisht jo në prodhim. PPP-të kanë reduktuar konkurrencën dhe kanë krijuar distorsion, ndërsa Departamenti i Shtetit raporton për korrupsion, impakt të parave të pista, mungesë të tregut të lirë e të konkurrencës. Raporti i fundit i DASH ishte një kambanë alarmi që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë me sa duket nuk e ka dëgjuar.
Shpopullimi dhe ikja e trurit
Në 10 vitet e fundit, rreth 1.1 milionë shqiptarë (40% e popullsisë) kanë lënë vendin, me 50,000 vetëm në 2024. Nga 2008-2024, pothuajse 1 milion morën leje qëndrimi të re në BE, duke përshpejtuar fenomenin pas 2021. Mbi 300 mijë shqiptare, sipas EUROSTAT janë në BE në mënyrë të parregullt, nga 2014 në 2024. Kjo tkurrje godet konsumin, punësimin dhe potencialin prodhues, si dhe skemën e pensioneve, duke krijuar mungesa kritike të fuqisë punëtore, dobësim të rritjes reale, dhe një minë me sahat për pensionet.
Klimë e keqe biznesi dhe varësia nga paratë e pista
OECD rendit Shqipërinë të fundit në rajon për klimën e biznesit dhe infrastrukturën, duke reflektuar pabarazi rajonale (58.2% e bizneseve në Tiranë-Durrës me 41.5% të popullsisë). Shqipëria ka humbur 11 pikë konvergjence me BE që nga 2016, me PBB për frymë vetëm 40% e mesatares së BE në 2023. Dobësimi i mjedisit të biznesit dhe infrastruktura e dobët pengojnë afrimin me standardet europiane. Ndërkohë 42 përqind janë në kushte varfërie e të përjashtimit social.
Këto do të duhet të ishin reflektuar në raportin e Guvernatorit. Recesioni industrial e bujqësor, tregu i dobët i punës, ulje e fuqisë blerëse, shpopullim masiv, klimë e dobët biznesi dhe varësia e lartë nga paratë e pista tregojnë një ekonomi në krizë të thellë strukturore. Një Bankë e Shqipërisë e vërtetë e pavarur do të ngrinte alarmin dhe do të kërkonte reforma strukturore të domosdoshme, përndryshe çdo rritje mbetet iluzion, duke thelluar pabarazinë dhe dobësinë ekonomike të vendit.