Pushteti i të keqes ka nevojë për budallallëkun e Presidentit edhe të Zeqinesë!

Nga Irena BEQIRAJ

Kërkesa e Presidentit kundrejt Gjykatës Kushtetuese dhe pyetjet e Zeqinesë kundrejt Kreut të SPAKUT, (ku edhe një shimpanze, nëse do të ishte stërvitur, mund të kishte formuluar pyetje më bindëse) , qartësojnë një ligj të pashkruar socio- psikologjik i cili po prevalon në shoqërinë tonë: “Pushteti i të keqes ka nevojë për budallallëkun e tjerëve” .

Të kuptohemi ka qenie njerëzore që kanë një intelekt të jashtëzakonshëm e të shkathët, por megjithatë janë budallenj, sikurse dhe të tjerë që janë intelektualisht mjaft të mërzitshëm, edhe mund të klasifikohen në gjithçka tjetër, përveç budallenjve. Budallallëku për të cilin po flasim nuk është një defekt i lindur, por në rrethana të caktuara, njerëzit bëhen budallenj sepse ata e lejojnë që kjo të ndodhë. Budallallëku në ketë rast është arroganca edhe vetëmashtrimi të bashkuara në një formë të vetme duke e transformuar njeriun në një mjet pa mend, që është i aftë për çdo të keqe dhe në të njëjtën kohë i paaftë për të parë se është e keqe. Ndaj budallallëku në këtë rast është një problem sociologjik.

Budallallëku është armiku më i rrezikshëm i së mirës madje më i rrezikshëm se keqja . E keqja gjithmonë mbart brenda vetes embrionin e përmbysjes së vet, pasi tek qeniet njerëzore ajo le pas një ndjenjë shqetësimi. Mund të protestohet kundër të keqes dhe nëse është e nevojshme, ajo mund të parandalohet me përdorimin e forcës.

Ndërsa ndaj budallallëkut ne jemi të pambrojtur, pasi as protestat dhe as përdorimi i forcës nuk na ndihmojnë për ti ndaluar ato . Arsyet bien në vesh të shurdhër; faktet edhe kur janë të pakundërshtueshme, lihen mënjanë si të parëndësishme, si të rastësishme; madje në momente kur ballafaqohet me faktet e pakundërshtueshme budallenjtë bëhet kritik . Por ndryshe nga keqdashësi budallai i cili është plotësisht i vetëkënaqur bëhet i rrezikshëm duke kaluar në sulm.

As budallallëkun ashtu si të keqen, nuk e perceptojmë si kërcënim për shoqërinë për sa kohë që nuk kanë pushtet . Por në këtë vend gëlojnë shembuj kur budallenjtë janë ngjitur në majë , sepse pushteti i të keqes kërkon njerëz të heqin dorë nga disa aftësi të nevojshme si pavarësia, i menduari kritik dhe reflektimi.

Ashtu si delet në një fushë, një person budalla mund të udhëhiqet, drejtohet dhe manipulohet për të bërë çfarë i kërkohet.

Pothuajse çdo fjalë që shqipton Zeqineja pasqyron një kapsllëk të mendimit të nivelit më të lartë.

E nëse do të kishte një olimpiadë të absurditetit letra e Presidentit të Republikës drejtuar Gjykatës Kushtetuese do të fitonte medaljen e artë.

Të dy pa dallim si Zeqineja edhe Presidenti mundësojnë përjetësimin e të keqes në pushtet.

Ndaj ka ardhur koha që duhet të ndërgjegjësohemi se më shumë dëm shkakton një idiot i fuqishëm sesa një bandë intrigantësh makiavelistë.

About Redaksia

Check Also

Ironike: Kosova shkollë demokracie, Shqipëria dhe Serbia më “afër” BE-së!

Nga Enver BYTYÇI Ora 21.40 e datës 9 nëntor 2025. ‘Gugulloj’ në internet me qëllim që …