Nga Agim XHAFKA
Edi Rama nuk ndryshon. Në çdo shtet që shkon sa zbret nga avioni ua nis këshillave, kritikave, ironive, shpotitjeve. Nga që e di se do të shkruajnë e do të flasin për budallallëqet që flet.
Njësoj ndodhi dhe në Londër. Sa gabim që dolët nga BE, ia filloi pa u ulur te karrikja e samitit. Brexit ishte gafë e madhe e anglezëve, migracioni duhet luftuar kështu e ashtu. S’pushonte. E ndërsa kushdo qesh me mufkat e tij të pafund, mua ky njeri më sjell ndër mend pastruesen tonë të shkallëve te pallati ku banojmë. Herë pas here ajo na troket te dera e sapo e hapim nxjerr para dy kova.
-M’i mbush me ujë të lutem!
E ndërsa kovat mbushen ajo bilbilon:
-Këtë abazhurin te korridori mund ta ndërrosh, o zotëri. Kjo që ke nuk shkon fare me ngjyrën e mureve.
Ndërsa ti e sheh me çudi ajo vazhdon:
-Ua, ua, ua! Vendose më majtas kolltukun te dhoma e ndenjes mo, e ke përballë derës e sa hapet ajo iu shohin fqinjët.
Ti nxiton atë çast t’ja lesh në dorë kovat mbushur plot, ndërkohë ajo ta lëshon dhe këshillën e fundit:
-Ej, hiqe ore nga dhoma e gjumit atë pasqyrën. S’ke moshë ti për lojra erotike!
Atë çast ti përplas derën me forcë ama përbrenda ke një dëshirë të fortë. Që ta kapësh pastruesen nga bythët dhe t’i japësh një të shtyrë të fortë nëpër shkallët e pallatit që të shpëtosh nga kovat e saj me ujë dhe nga këshillat marroke.