Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar pas situatës së rëndë që po kalojnë minatorët e Spaçit, të cilët prej javësh janë në protestë për të drejtat e tyre në punë nga rritja e pagës e deri tek e drejta për t’u organizuar në sindikata.
Në një deklaratë publike, Tabaku dënoi dhunën ndaj punëtorëve dhe pushimet nga puna që, sipas saj, përbëjnë shkelje të ligjit dhe të dinjitetit njerëzor.
“Këto punonjës u keqtrajtuan nga policia e shtetit vetëm pse protestuan. Ata po ndëshkohen vetëm pse kërkojnë të drejtat e tyre”, u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se Komisioni i të Drejtave të Njeriut, që ajo drejton, do të jetë një derë e hapur për çdo qytetar që kërkon drejtësi dhe mbrojtje nga abuzimet e pushtetit.
“Komisioni është i hapur për të diskutuar jo vetëm të drejtën për protestë, por mbi të gjitha të drejtat në punë, dinjitetin dhe mundësinë për t’u organizuar në sindikata,” – shtoi deputetja demokrate.
Tabaku vuri në dukje se rasti i minatorëve të Spaçit është “një shëmbëlltyrë e forcës së shtetit që shkel me këmbë shumicën e ndershme dhe mbështet me ligje e favore pakicën e privilegjuar.”
Ajo theksoi se Partia Demokratike dhe deputetët e saj në qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, Lindita Metalia Hoti dhe Pjetër Piroli kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me minatorët dhe do të vijojnë t’i mbështesin në betejën e tyre për dinjitet dhe drejtësi.
“Përditë në mbështetje të shumicës, përditë në mbrojtje të atyre që jetojnë me punën e ndershme”, përfundoi Tabaku.
Gazeta RD