Mazhoranca aktuale është politikisht dhe moralisht ilegjitime!

Nga Agron GJEKMARKAJ

Mazhoranca aktuale është politikisht dhe moralisht ilegjitime. Shqipëria nuk mund të quhet demokraci për sa kohë vota nuk është e lirë dhe shteti përdoret kundër qytetarëve të vet.

Konstatimet tronditëse të raportit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit 2025, rrëzojnë përfundimisht çdo pretendim për zgjedhje të lira dhe të ndershme në vendin tonë. Ky raport ndërkombëtar, i hartuar nga një organizatë e paanshme dhe me autoritet të lartë, përbën një akt akuzë të qartë ndaj regjimit të Edi Ramës dhe mënyrës se si ai ka shkatërruar standardet demokratike në Shqipëri.

OSBE/ODIHR konfirmon se zgjedhjet u dominuan plotësisht nga partia në pushtet, e cila përdori shtetin si mjet elektoral dhe jo si institucion publik. Administrata shtetërore u shfrytëzua për fushatë, burimet publike u keqpërdorën në mënyrë sistematike dhe punonjësit e shtetit u vendosën nën presion politik për të mbështetur mazhorancën. Vota e lirë u zëvendësua me votën e frikës dhe nënshtrimit.

Raporti i OSBE/ODIHR evidenton gjithashtu kapjen totale të mediave, mbytjen e pluralizmit dhe zëvendësimin e informacionit të vërtetë me propagandë qeveritare. Në vend të një fushe të barabartë garimi, qytetarët u përballën me një realitet të kontrolluar, ku çdo burim publik, çdo ekran dhe çdo institucion u përdor për interesat elektorale të partisë në pushtet.

Një tjetër shqetësim serioz që nënvizon raporti është ekzistenca e sistemit të patronazhistëve, që përbën një formë të organizuar të kontrollit politik mbi qytetarët dhe votuesit shqiptarë. Ky fenomen, i konsideruar i papranueshëm nga standardet ndërkombëtare, tregon se regjimi i Ramës ka ngritur një mekanizëm survejimi dhe frikësimi për të manipuluar procesin demokratik.

Edhe dita e votimit, që propaganda e qeverisë e quajti “të qetë”, rezulton në raport të ketë qenë e mbushur me parregullsi dhe shkelje të rënda të ligjit. Strukturat lokale të pushtetit u përdorën për të ushtruar ndikim dhe për të kontrolluar procesin në çdo hallkë të tij.

Ky raport i OSBE/ODIHR është dëshmia më e qartë se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike. Ai konfirmon se procesi u zhvillua nën dominimin e plotë të partisë-shtet dhe se vullneti i qytetarëve shqiptarë u deformua përmes presionit, frikës dhe manipulimit.

Mazhoranca aktuale është politikisht dhe moralisht ilegjitime. Shqipëria nuk mund të quhet demokraci për sa kohë vota nuk është e lirë dhe shteti përdoret kundër qytetarëve të vet. PD do të vazhdojë betejën për rikthimin e demokracisë reale, për zgjedhje të lira dhe për një shtet që i shërben popullit, jo partisë.

About Redaksia

Check Also

Berisha bën thirrje për protesta/ Raporti i OSBE-ODIHR rrëzoi farsën elektorale

A shihni ndonjë mangësi në këtë raport të OSBE/ODIHR z.Berisha, duke qenë se, për votën …