Sfidat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare

Nga Bujar Leskaj

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen dhe rregullimin e tregjeve financiare jobankare në Shqipëri, duke përfshirë sigurimet, fondet e pensioneve private dhe tregun e letrave me vlerë.

Per fat te keq, edhe gjatë vitit 2024, AMF është përballur me një sërë mangësish dhe problematikash që kanë nxjerrë në pah nevojën për reforma të thella, në drejtim të transparencës, eficiencës dhe forcimit të kapaciteteve profesionale të institucionit.

I. Institucioni ka dështuar në mbikëqyrjen efektive të tregut të sigurimeve

Tregu i sigurimeve në Shqipëri, pavarësisht rritjes graduale të primeve dhe numrit të kontratave në vitet e fundit, vazhdon të mbetet ndër më të dobëtit në rajon, për nga niveli i zhvillimit, transparenca dhe besueshmëria publike. Arsyeja kryesore për këtë situatë është mungesa e një mbikëqyrjeje efektive nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Institucioni ka dështuar në garantimin e konkurrencës reale. Në vend që tregu të jetë i bazuar në konkurrencë të ndershme dhe cilësi shërbimi, ai dominohet nga disa kompani që shpesh ndjekin politika të çmimeve artificialisht të ulëta, për të fituar pjesë tregu, duke minuar stabilitetin financiar dhe cilësinë e produkteve. AMF nuk ka ka arritur të ndërhyjë me masa rregullatore, për të frenuar këto praktika, që në shumë raste shkojnë në dëm të konsumatorëve dhe të vetë qëndrueshmërisë së sektorit.

Një problem i përsëritur është mungesa e një kontrolli efektiv mbi kapitalizimin dhe rezervat teknike të kompanive të sigurimit. Raportet periodike shpesh pasqyrojnë mosbalanca ndërmjet detyrimeve dhe aseteve, ndërkohë që AMF mjaftohet me paralajmërime formale. Mungesa e veprimeve të menjëhershme disiplinore ka bërë që disa kompani të vazhdojnë të operojnë me rrezik të lartë financiar, duke cënuar sigurinë e konsumatorëve.

Një tjetër tregues i dështimit është mungesa e efektivitetit në trajtimin e ankesave të qytetarëve. Shumë të siguruar ankohen për vonesa të gjata në pagesat e dëmeve, mungesë informacioni dhe burokraci të panevojshme, ndërkohë që AMF shpesh kufizohet në rol pasiv, pa garantuar një zgjidhje reale apo ndëshkim ndaj kompanive që shkelin ligjin. Transparenca e raportimeve mbetet e ulët. Mediat dhe qytetari nuk kanë akses të qartë në të dhënat mbi performancën apo stabilitetin e secilës kompani.

Edhe pse Shqipëria është në proces të përafrimit me direktivat e BE-së në fushën e sigurimeve, implementimi praktik ka mbetur i cunguar. Solvency II, standardi evropian për menaxhimin e riskut dhe kapitalit në sigurime, është përfshirë pjesërisht në legjislacion, por zbatimi i tij real mbetet minimal. Kjo tregon një mungesë kapacitetesh teknike dhe vullneti nga ana e AMF-së,  për të përmirësuar kontrollin mbi tregun.

Mosfunksionimi i plotë i AMF-së ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët, si (i) rritje të mosbesimit ndaj sigurimeve, (ii) pakësim të produkteve inovative, (iii) vonesa në dëmshpërblime dhe (iv) mungesë garancie për mbrojtjen e interesave të konsumatorit.

Autoriteti është perceptuar si reaktiv dhe jo parandalues në trajtimin e këtyre ankesave. Mungesa e inspektimeve të shpeshta dhe analizave të thelluara mbi stabilitetin financiar të disa shoqërive të sigurimeve, ka krijuar një perceptim se kontrolli është më shumë formal, se sa efektiv.

II. Mungesë transparence dhe kapacitete të pamjaftueshme profesionale

Edhe gjatë vitit 2024, disa vendime të AMF-së lidhur me licencime, miratime statutore dhe ndryshime pronësie në kompani sigurimi apo fonde investimi janë shoqëruar me mungesë të plotë transparence publike.

Raportet zyrtare shpesh janë publikuar me vonesë, ndërsa mungesa e analizave krahasuese me tregjet e rajonit ka kufizuar besimin e publikut dhe të investitorëve në punën e Autoritetit. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi llogaridhënien institucionale dhe mënyrën e komunikimit me publikun.

Një tjetër problematikë e theksuar ka qenë mungesa e kapaciteteve profesionale në stafin e AMF-së, sidomos në drejtimet e reja si teknologjitë financiare (FinTech), sigurimet digjitale dhe analiza e riskut kibernetik. Ndërkohë që tregu po evoluon me ritme të shpejta, AMF shpesh ka reaguar me vonesë ndaj zhvillimeve të reja, duke mos pasur ekspertizën e nevojshme për të ndërtuar politika proaktive dhe rregullatore moderne.

Tregjet e kapitaleve dhe fondet e pensioneve private kërkojnë politika aktive nxitjeje, të cilat gjatë vitit 2024 munguan. AMF nuk arriti të promovojë në mënyrë të mjaftueshme instrumentet e investimit afatgjatë, ndërkohë që interesimi i qytetarëve për fondet e pensioneve mbeti shumë i ulët.

Në fushën e letrave me vlerë, tregu vijon të jetë i ngushtë dhe me pjesëmarrje të kufizuar, ndërsa AMF nuk ka arritur të krijojë mekanizma për zhvillimin e tregut sekondar apo për tërheqjen e investitorëve të rinj.

III. Komunikim i dobët me publikun dhe mungesë e digjitalizimit të plotë të shërbimeve

AMF, si institucion që duhet të garantojë besim publik, ka pasur komunikim të dobët me qytetarët dhe aktorët e tregut gjatë vitit 2024. Informacioni mbi ankesat, rezultatet e kontrolleve, apo vendimet disiplinore ndaj shoqërive nuk është bërë gjithmonë publik në kohë.

Gjithashtu, bashkëpunimi institucional me Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Financave në kuadrin e mbikëqyrjes makroprudenciale ka qenë më tepër formal sesa praktik, duke krijuar boshllëqe në monitorimin e rreziqeve të tregut financiar.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka mbetur mjaft mbrapa në përshtatjen me standardet moderne të transformimit dixhital. Viti 2024 tregoi qartë se ky institucion ende nuk ka arritur të zhvillojë një sistem funksional dhe të integruar digjital për monitorimin, raportimin dhe analizën e tregjeve jobankare që mbikëqyr: sigurimet, tregjet e kapitaleve dhe fondet e pensioneve.

Ndryshe nga institucione të tjera si Banka e Shqipërisë, të cilat kanë investuar ndjeshëm në platformat e tyre dixhitale, AMF vijon të përdorë një sistem të fragmentuar komunikimi dhe raportimi.

Shumica e dokumenteve, raportimeve të tregut apo ankesave nga qytetarët vijojnë të trajtohen në mënyrë manuale ose përmes korrespondencës me email, pa një platformë të unifikuar e transparente. Kjo mungesë e digjitalizimit ul efikasitetin, rrit kohën e përpunimit të të dhënave dhe pengon publikun të ketë akses të shpejtë në informacion.

Gjatë vitit 2024, operatorët e tregut të sigurimeve dhe fondeve private të pensioneve kanë shprehur shqetësime për mungesën e një portali të posaçëm digjital,  ku të mund të depozitojnë raportimet periodike, të kryejnë pagesa administrative, apo të komunikojnë online me Autoritetin. Proceset manuale kanë shkaktuar vonesa, konfuzion dhe rritje të kostove operacionale për kompanitë e licencuara. Një sistem modern “online supervision” mungon ende, duke e bërë mbikëqyrjen e tregut më të ngadaltë dhe më pak efektive.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm, ku AMF ka treguar mangësi është mbrojtja e konsumatorit në mjedisin dixhital. Gjatë vitit 2024 nuk u realizua asnjë platformë online për trajtimin e ankesave apo ndjekjen në kohë reale të kërkesave të qytetarëve. Kjo ka krijuar përshtypjen se institucioni nuk është i hapur ndaj publikut dhe se mbikëqyrja e sektorit bëhet më shumë në mënyrë formale sesa përmes teknologjisë që garanton transparencë.

Autoriteti nuk ka bërë investime të mjaftueshme në infrastrukturën teknologjike, ndërkohë që shpenzimet për modernizim kanë mbetur minimale. Mungesa e një departamenti të fuqizuar të IT-së apo e ekspertëve të sigurisë kibernetike e bën institucionin të brishtë ndaj rreziqeve digjitale. Kjo dobësi bie në kontrast të fortë me zhvillimet ndërkombëtare, ku autoritetet rregullatore financiare po adoptojnë inteligjencën artificiale, “regtech” dhe “suptech” për mbikëqyrje më efikase të tregjeve.

Mungesa e digjitalizimit në AMF reflektohet drejtpërdrejt në performancën e tregjeve financiare që ajo mbikëqyr. Tregu i sigurimeve dhe ai i kapitaleve mbeten të fragmentuar, me raportime të ngadalta dhe mungesë të analizës në kohë reale. Kjo vonesë pengon identifikimin e hershëm të rreziqeve, ndikon në konkurrencën e ndershme dhe e largon Shqipërinë nga standardet e Bashkimit Europian për mbikëqyrje dixhitale dhe menaxhim të të dhënave financiare.

Aplikimet për licenca, raportimet e kompanive dhe trajtimi i ankesave në shumë raste kryhen manualisht, gjë që ngadalëson procedurat dhe rrit mundësinë për gabime apo vonesa administrative.

xxx

Një nga mangësitë më të dukshme ka qenë mungesa e një strategjie të qartë afatmesme për zhvillimin e AMF-së dhe të tregjeve që institucioni mbikëqyr. Dokumentet strategjike ekzistuese janë të përgjithshme dhe nuk adresojnë prioritetet aktuale, si transformimi digjital, përfshirja financiare, mbrojtja e konsumatorit dhe edukimi financiar i publikut.

Viti 2024 tregoi se Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka nevojë për një reformim të thellë, jo vetëm në drejtim të strukturës dhe kapaciteteve, por edhe të kulturës institucionale.

Një AMF më e hapur, më transparente dhe më e orientuar drejt inovacionit është kusht për zhvillimin e tregjeve financiare jobankare dhe për rritjen e besimit të publikut. Në të kundërt, dobësitë e evidentuara gjatë vitit 2024 rrezikojnë ta lënë sektorin jobankar në stagnim dhe ta kufizojnë rolin e tij në ekonominë kombëtare.

About Redaksia

Check Also

Skandali/ Gazetari: Manastirliu fshehu email-in ku kërkohej hetim për abuzimet në QSUT

Gazetari Osman Stafa ka denoncuar ditën e sotme në rrjete sociale një skandal të rëndë …