Nga Bujar Leskaj
Në Marinzë, 10 punëtorë të “Bankers Petroleum” janë prej 9 ditësh në grevë urie. Kërkojnë ngritjen e fondit të pagave me 18 përqind, për t’u mundësuar një pagë minimalisht dinjitoze për punën e rëndë që kryejnë. Kërkojnë zbatimin e ligjit mbi Statusin e Naftëtarit, si dhe drejtësi dhe barazi në shpërblime, përballë pagave të majme të drejtuesve kinezë të kompanisë.
Më në veri, në Spaç, prej 15 ditësh minatorët e Spaçit janë në grevë, sepse kompania “TETE Albania” nuk pranon t’ju njohë sindikatën që punëtorët e nëntokës kanë krijuar, me shpresën se diçka do të ndryshojë dhe një organizim sindikal do t’i ndihmojë, për të përmirësuar sadopak kushtet e pamundura të punës në miniera si ato të kohës së Mesjetës.
Greva ka paralizuar aktivitetin në minierë dhe po zhvillohet me kërkesa të qarta, si (i) rritje e pagave dhe shpërblimeve për punën në kushte të vështira, (ii) përmirësim të kushteve të sigurisë dhe pajisjeve të punës, si dhe (iii) njohja dhe zbatimi i statusit të minatorit, i cili do t’u garantonte punonjësve mbështetje më të mirë ekonomike dhe sociale në këto kohë të vështira.
- Minatorët dhe naftëtarët: të braktisur nga Rama në dorë të fatit!
Të dyja grevat përbëjnë ndër ngjarjet më të forta sociale të viteve të fundit në sektorin e shfrytëzimit të pasurive kombëtare të nëntokës. Ato nxorën lakuriq indiferencën vrastare të sektit Rama për statusin social dhe gjendjen ekonomike të punëtorëve tek ne. Sidomos të punëtorëve që punojnë në kushte shumë të vështira pune dhe për paga mjerane, në sektorët e shfrytëzimit të naftës dhe të lëndëve minerare.
Këta sektorë në Shqipëri përballen prej vitesh tashmë jo vetëm me paga të ulëta dhe moskujdes skandaloz për punëtorët, por edhe me investime të pakta në siguri dhe teknologji, me koncesione të diskutueshme dhe ku abuzimi shtetëror del hapur, duke privilegjuar fitimin e kompanive private të përzgjedhura si favorite të Ramës, në kurriz të jetesës gati të pamundur dhe të kushteve tejet të vështira ekonomike dhe sociale të punëtorëve.
Janë sektorë kampionë të mungesës së kontrollit të rreptë shtetëror mbi kushtet e punës dhe zbatimin e ligjit, me kompanitë e huaja private që kanë ofruar paga minimale, krahasuar me riskun e punës, duke i kthyer profesionet e minatorit dhe naftëtarit jo vetëm ndër më të vështirët, por më pak të vlerësuarit në vend.
Në Spaç, ku dikur dhimbja dhe heroizmi i punëtorëve u kthyen në simbol të rezistencës ndaj shtypjes, sot gjenerata të reja minatorësh përballen me një realitet po aq të ashpër, të shoqëruar nga një heshtje institucionale e pafytyrë e sektit Rama në pushtet, që e bën akoma dhe më të rëndë situatën e tyre.
Në Marinzë, naftëtarët kanë denoncuar mungesën e transparencës nga kompania operuese “Bankers”, lidhur me situatën financiare dhe planin e saj për të garantuar stabilitetin e punësimit. Kjo kompani, nën indiferencën e fajshme dhe ndoshta edhe partneritetin në abuzim të Ramës, ka mosdeklarim të saktë të prodhimit të naftës, që vetë naftëtarët e përjetojnë çdo ditë; ka shtim artificial të shpenzimeve gjoja prodhuese dhe ulje artificiale të fitimeve, për të shmangur pagesën e tatimeve. Raporti shtet i Ramës – Bankers është një model tipik i “kapjes ekonomike” të shtetit, ku një kompani e huaj arrin të diktojë kushtet e operimit falë mungesës së kontrollit dhe transparencës.
Një tjetër problem i theksuar si në Marinzë ashtu edhe në Spaç është mungesa e kontratave të sigurta dhe të standardizuara, çka ka bërë që shumë punonjës të ndihen të pambrojtur ligjërisht, pavarësisht viteve të gjata të punës në kushte të vështira.
Të gjitha këto probleme të mprehta janë shoqëruar me mungesë të reagimit të menjëhershëm institucional, duke rritur ndjesinë e braktisjes, neglizhencës dhe mosvlerësimit të shtetit ndaj sektorëve të shfrytëzimit të pasurive tona të nëntokës.
- Opozita të jetë më pranë minatorëve dhe naftëtarëve grevistë
Këto dy greva duhej të kishin ndezur reagimin e punëtorëve si ortek në mbarë vendin. Mirëpo, për fat të keq, Rama dhe sekti i tij kanë fikur shpirtin sindikalist në Shqipëri, duke joshur dhe korruptuar drejtuesit e sindikatave dhe duke i bërë ortakë në abuzimet me pronat e shtetit të menaxhuara nga sindikatat.
Opozita e bashkuar duhet të jetë më pranë minatorëve dhe naftëtarëve grevistë. Vetëm një deputet i saj, Luan Baçi, shkoi në grevën e punëtorëve të Bankers-it, ndërsa deputetët Agron Gjekmarkaj, Gjin Gjoni dhe Elda Hoti shkuan në Spaç tek minatorët. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike duhet t’i mbështesë fuqishëm.
Në një kohë kur tensionet sociale po rriten dhe shtresat punëtore ndihen gjithnjë e më të braktisura nga shteti, greva e minatorëve në Spaç dhe greva e naftëtarëve në Marinzë janë bërë pasqyra më e qartë e padrejtësive që po ndodhin në sektorët më të vështirë të ekonomisë sonë.
Në këto kushte, opozita ka jo vetëm detyrën morale, por edhe përgjegjësinë politike për të qëndruar fuqishëm në krah të grevistëve, duke i kthyer këto kauza sociale në çështje kombëtare. Minatorët e Spaçit dhe naftëtarët e Marinzës nuk po kërkojnë privilegje apo favore politike. Ata po kërkojnë të drejtën për jetesë dinjitoze, pagë të ndershme për punën e bërë, si dhe siguri për veten dhe familjet e tyre.
Në të dy rastet, grevat janë pasojë e indiferencës dhe neglizhencës së gjatë të Ramës dhe sektit të tij në pushtet, ndaj shkeljeve të përsëritura nga kompanitë koncesionare. Janë pasojë e mungesës së reagimit të duhur nga qeveria.
Greva e Spaçit ka nxjerrë në pah realitetin dramatik të nëntokës shqiptare: kushte pune të rrezikshme, mungesë sigurimesh, shëndet të dëmtuar dhe trajtim të padrejtë. Ndërsa në Marinzë, naftëtarët prej muajsh kërkojnë pagesat e tyre të vonuara dhe respektimin e kontratave, ndërkohë që kompania operuese përfiton miliona euro nga pasuritë natyrore të vendit. Këto janë kauza të pastra sociale, që kërkojnë një reagim politik serioz e jo heshtje oportuniste.
Në një vend demokratik, opozita është zëri i atyre që nuk dëgjohen. Kur qeveria fajtore hesht përballë grevave, opozita duhet të jetë ajo që e ngre fuqishëm zërin, që shkon në terren, që flet me punëtorët dhe e çon zërin e tyre në Parlament e në media.
Ne duhet të kërkojmë në Kuvend seanca urgjente për situatën e minatorëve dhe naftëtarëve, si dhe të propozojmë një ligj për statusin e minatorit dhe të punëtorit të nëntokës. Duhet të kërkojmë fort rishikimin e kontratave me kompanitë që abuzojnë, si “Bankers Petroleum”, etj. Duhet t’i ndihmojmë grevistët me mbështetje ligjore, logjistike dhe mediatike.
xxx
Kauzat e Spaçit dhe Marinzës nuk janë individuale, të një grupi punëtorësh. Janë kauza kombëtare, që lidhen me mënyrën se si trajtohen ata që mbajnë në këmbë ekonominë e vendit.
Nëse Shqipëria lejon që minatorët dhe naftëtarët të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, atëherë çdo fjalë për zhvillim, investime apo “rilindje industriale” mbetet bosh. Në vendet demokratike, opozitat fitojnë besimin e njerëzve kur mbrojnë kauza reale, jo kur kërkojnë pushtet për vetveten.
Spaçi dhe Marinza janë sot dy prova të mëdha për opozitën e bashkuar shqiptare: ose ajo do të jetë zëri i punëtorëve, ose do të mbetet spektatore e padrejtësive.
Nëse Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar i mbështesin me vendosmëri grevistët, opozita mund të rikthejë besimin e qytetarëve tek politika, një besim që prej kohësh është shkatërruar nga premtimet boshe të Ramës.
Një qëndrim i qartë në mbrojtje të punëtorëve do të tregonte se në Shqipëri ende ekziston një forcë që i qëndron pranë njerëzve të ndershëm dhe që nuk frikësohet të përballet me pushtetin okult të Ramës.
Minatorët e Spaçit dhe naftëtarët e Marinzës nuk po luftojnë vetëm për vete. Ata po luftojnë për respektimin e punës, për dinjitetin njerëzor dhe për drejtësinë sociale. Është detyrë parësore e opozitës që të mos i lërë vetëm, por t’i kthejë protestat e tyre në kauzë të mbarë shoqërisë shqiptare. Sepse nëse bie zëri i punëtorit, atëherë bie edhe shpresa për një Shqipëri më të drejtë dhe më njerëzore.
Gazeta RD