Kreu i SPAK, Altin Dumani, raportoi sot në Kuvend për problematikat që ndodhen aktualisht në funksionimin e Prokurorisë së Posaçme, duke përmendur presionin e jashtëm dhe çështje ligjore të pazgjidhura.
Dumani tha se SPAK është nën presion nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatik, që sipas tij mund të ndikojë në pavarësinë dhe efektivitetin e hetimeve, si dhe në integritetin e prokurorëve.
Ai gjithashtu përmendi edhe një herë mungesën e përcaktimit të qartë ligjor për statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit, gjë që sipas SPAK mund të ndikojë në vijimësinë e hetimeve.
“Ndërkohë janë shfaqur edhe disa problematika të tjera, të cilat së bashku paraqiten, si më poshtë:
Presioni i jashtëm ndaj SPAK nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatik, i cili cenon pavarësinë e tij kushtetuese dhe efektivitetin në hetime. Ndërhyrjet e jashtme rrezikojnë gjithashtu, integritetin e prokurorëve dhe të procesit hetimor. Për të garantuar pavarësinë e SPAK- ut, si dhe mbështetje për prokurorët në çështje të ndjeshme, nevojitet një reagim më i koordinuar dhe në kohë i të gjitha institucioneve, të cilat kanë përgjegjësinë e mbrojtjes së integritetit të SPAK”, tha Dumani.
Gazeta RD