Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi gjatë fjalës në Komitetin e Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri tha se, Partia Demokratike mbetet e palëkundur në mbështetjen e procesit të integrimit si aspiratë e shqiptarëve. Bardhi theksoi se PD ka vlera konkrete në këtë drejtim dhe jo propagandë boshe.
“Ne kemi qenë dhe mbetemi mbështetës të kësaj rruge. Por këtë nuk e bëjmë me propagandë, por me punë konkrete. Ne nuk e njohim qeverinë e dalë nga zgjedhjet e fundit, por jemi në Parlament pikërisht për të punuar dhe për të mbështetur aspiratën e qytetarëve shqiptarë. BE dhe SHBA mbeten aleatët tanë strategjikë, dhe PD nuk bën ironi me Presidentin amerikan, por mbështet politikat e tij, ndryshe nga Kryeministri dhe mazhoranca. Narrativa e PD e njëjtë me presidentin Trump dhe kundër SOROS ndihmon rrugën europiane të Shqipërisë. PD nuk është si Partia Socialiste, e cila, kur ne punonim për vizat, protestonte kundër nesh në bulevard.”
Në të njëjtën linjë ishte edhe Jorida Tabaku, e cila theksoi se, PD është promotore e integrimit dhe se kjo rrugë kalon vetëm nëpërmjet përmbushjes reale të reformave, gjë të cilën kjo qeveri nuk e garanton. Komiteti i Stabilizim-Asociimit u mbyll me një deklaratë, për të cilën delegacioni i Partisë Demokratike nuk dha konsensus.
Gazeta RD