Deputeti i partisë Demokratike, Arjan Ndoja, foli sot nga foltorja e Parlamentit pas raportimit të kryetares së KLP-së, ku vuri në dukje defektet e reformës në drejtësi, qëllimet e saj reale dhe pikat ku ka dështuar, duke mos dhënë drejtësi për qytetarët.
Ai tha se kjo reformë kishte vetëm një qëllim, që të burgoste krerët e opozitës dhe të kroijonte autokraci, ku kryeministri intimidon gjyqtarët dhe prokurorët.
“Kjo reformë për mendimin tim u bë vetëm me një qëllim. Të goditen liderët e opozitës dhe të futen në burg. Të pastrohen radhët e Partisë Socialiste, nëpërmjet një mekanizmi të posaçëm, që është sistemi gjyqësor. E treta për të vënë nën presion psikologjik shoqërinë dhe veçanërisht oligarkët, që gjenden nën trysninë e këtij pushteti dhe psikologjisë së frikës dhe dhunës. Këto janë shenja të autokracisë. Gjithë ky intimidim që bën kryeministri ndaj gjyqësorit, kërkon edhe reagim konkret nga KLP dhe KLGJ jo vetëm për një çështje konkrete por edhe për raste intimidimi që përfshijnë të gjithë”, u shpreh ligjvënësi.
Ndoja analizoi me detaje të gjithë dinamikën dhjetëvjeçare të reformës, duke komentuar çdo qëllim të deklaruar. Ndoja deklaroi se e vetmja arritje ka qenë shkurtimi i proceseve me 16 ditë, pasi standardet, dhënia e drejtësisë, eficenca apo aksesi, nuk ishin arritur.
“Fondacioni për Shoqërinë e Hapur në kuadër të reformës bëri edhe një spot publicitar ku deklaronte 5 pika si qëllime të reformës në drejtësi. Po e përmend këtë fakt se keni ngritur dorën 140 deputetë, të majtë e të djathtë. Reforma kërkonte të rregullonte korrupsionin, e dyta është mungesa e pavarësisë së sistemit gjyqësor, e treta është zgjatja e afateve, e katërta standardet e ulëta etike dhe profesionalizmi në gjyqësor, e pesta është aksesi në gjyqësor”, tha deputeti.
Ligjvënësi kujtoi se e vetmja arritje ishte shkurtimi qesharak i proceseve, kurse profesionalizmi dhe mungesa e burimeve njerëzore është e dukshme.
“E vetmja arritje në këtë reformë është se prokurorët janë bërë të pavarur, duhet pranuar. Por nga ana tjetër sa i përket pavarësisë, në KLP dhe KLGJ, ku kryetari i tyre thuhet se nuk duhet të jetë nga gjyqësori, kjo është ulje për mendimin tim. Titullari është shumë i rëndësishëm dhe ne e shohim atë edhe këtu, që lidhet me rregulloren dhe funksionimin. Kohëzgjatja rezulton se nga viti 2023 deri në 2024, është shkurtuar vetëm me 16 ditë, nëse afati e ka 9 vite apo 16 vite, për të dyja është shkurtuar vetëm me 16 ditë dhe ky është fakt i dukshëm e dinë të gjithë. Nëse kjo mund të quhet arritje pas 10 vitesh, e thonë edhe kolegët e mi dhe baballarët e reformës që kjo nuk është arritje? Standarde të ulëta dhe profesionalizmi duket se ka ulje dhe mendoj se edhe ky objektiv nuk është arritur. Nuk kemi arritur te standardet individuale që janë kërkuar apo ishin objektiv të reformës”, analizoi ai.
Ndoja tha se sistemi gjyqësor është në kaos, ku vuan nga mbingarkesa e çështjeve prej reformës gjyqësore, ku tani kemi vetëm një Apel. Për të, kjo reformë nuk ishte e mirëmenduar.
“Aksesi në drejtësi, e kemi parë se sa funksionon ai. Mjafton të përmendim se kemi vetëm një Gjykatë Apeli në vend apo edhe në gjykatat e juridiksionit. Bëmë një Apel me qëllimin e paritetit, që ta marrin shërbimin njëlloj të gjithë, por kjo qe e gabuar. Reforma në fjalor dhe terminologji do të thotë përmirësim dhe për mendimin tim nuk kemi reformë. Metodologjia e saj është e gabuar dhe mendoj se nuk është e mirëmenduar. U goditën burimet njerëzore. Të gjithë elementët e tjerë janë të gabuar. Pra reforma nuk ia arriti qëllimit. SPAK nuk zgjidh gjithçka, ajo ka vetëm 1,37% të të gjitha çështjeve”, komentoi deputeti demokrat.
Gazeta RD