CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Tabaku: Shqiptarët po varfërohen çdo ditë…

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka reaguar sërish ndaj gjendjes ekonomike në vend, duke rrëzuar propagandën e qeverisë për “stabilitet makroekonomik” dhe duke kërkuar që ekonomia të vihet në shërbim të shumicës, jo të pakicës.

Në një video-mesazh të shpërndarë në rrjete sociale, Tabaku thekson se, “stabiliteti i pretenduar nga qeveria nuk ekziston në xhepat e qytetarëve, por vetëm në letrat e ministrive”, ndërsa faktet, sipas saj, tregojnë një realitet krejt tjetër.

“EUROSTAT tregoi që 55% e familjeve shqiptare jetojnë në kushte varfërie, nuk e mbyllin dot muajin. 40% e buxhetit familjar shkon vetëm për ushqime”, shprehet Tabaku, duke shtuar se kjo situatë është pasojë e taksave të larta, rritjes së çmimeve me 30% dhe zhvlerësimit të euros, që ka goditur më fort shtresat e mesme dhe të ulëta.

Deputetja demokrate nënvizon se ekonomia shqiptare po varet gjithnjë e më shumë nga sektori i ndërtimit, ndërsa sektorët që krijojnë punësim dhe mirëqenie – si bujqësia, prodhimi dhe energjia – janë lënë në harresë.

“Ekonomia shqiptare nuk prodhon më! Për çdo 1% rritje ekonomike, punësimi rritet me vetëm 0.1%. Kjo është prova që kemi një ekonomi të pakicës, që nuk krijon vende pune dhe nuk gjeneron mirëqenie për qytetarët,” – theksoi Tabaku.

Ajo bëri thirrje që realiteti ekonomik i vendit të ndryshojë, duke u vendosur në shërbim të shumicës së shqiptarëve që përballen çdo ditë me koston e jetesës dhe pasigurinë ekonomike.

“Këtë realitet duhet ta ndryshojmë. Ekonomia duhet të punojë për shumicën, jo për një pakicë të privilegjuar që përfiton nga pushteti,” përfundoi Tabaku.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Edi Rama 50 milionë euro u ka plaçkitur shqiptarëve dhe kërkon t’ia faturojë të gjitha Lubi Ballukut

Kryetari I PD, Sali Berisha, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së PD akuzoi kryeministrin …