Deputetja e PD, Ina Zhupa tha se, narko-qeveria” përgjegjëse për abuzimin e 9.8 miliardë eurove nga viti 2014 deri në prill të këtij viti. Ajo iu drejtuar deputetëve të PS, ku e keni ju zëvendëskryeministren tuaj, drejtuese politike të 10 qarqeve, e ku çfarë nuk i keni bërë?
“Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilit ju sot do ta dëgjoni dhe do ta dëgjojmë bashkë, tregon që nga viti 2014 deri në prill të këtij viti, janë abuzuar vetëm sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, 9 miliardë e 810 milionë euro. 9 miliardë e 810 milionë euro janë në fakt paratë e buxhetit të shqiptarëve që ja u kanë vjedhur qeveritarët. Janë paratë të cilat do të duhet të ishin vënë në funksion të rritjes ekonomike, në funksion të pensioneve, në funksion të rrogave të shqiptarëve dhe në funksion të mirëqënies së shqiptarëve.
Ju keni shumëfishuar vetëm pasurinë e qeveritarëve. Ku e keni ju sot zëvendëskryeministren e Shqipërisë? Ku e keni ju sot atë që u shqetësua nga epitetet, apo sepse ndjetë rivalitet se kush i jepte epitete më të spikatura kryeministrit? Ku e keni ju zëvendëskryeministren tuaj, drejtuese politike të 10 qarqeve, e ku çfarë nuk i keni bërë? Ku e keni? Pse nuk e keni këtu të bëjë interpelancën?
Pse nuk e keni këtu t’i japin llogari shqiptarëve se ku janë paratë e tyre? Këto paratë e buxhetit të shtetit që ju doni t’i kaloni pa paketë fiskale, me kalendarin që doni ju, vetëm e vetëm që të vidhni, të vidhni, të vidhni, të vidhni, të vidhni nga mëngjesi deri në darkë. Kjo nuk është ajo që duan shqiptarët. Sot keni parashikuar një seancë e cila ndër të tjera dëmton thelbin e familjes.
Ndër të tjera keni futur në seancë një projektligj që fshihet mbas termit shumë të bukur dhe shumë të pranuar nga të gjithë ne, si barazia gjinore dhe shanset e barabarta dhe në fakt keni futur çedukimin e fëmijëve tanë në shkolla. Keni futur masakrimin e asaj që është koncepti i gjinisë, i cili është biologjik dhe i cili është i gjithëpranuar nga të gjitha palët.
Ajo që duhet të bëni në fakt është ta vini këtë parlament në funksion të shoqërisë, në funksion të familjes, në funksion të qytetarëve dhe këtë buxhet të keni mundësi ta tërhiqni, ta sillni me paketën fiskale dhe t’i çoni paratë jo për koncesione, jo për pasurimin tuaj, por t’i çoni paratë për rritje reale të pensioneve, për fondet në shëndetësi që edhe sot i keni me shkurtim, për fondet në arsim që edhe sot i keni me shkurtim kur diskutojmë buxhetin faktik, sepse kjo nuk është përgjegjshmëri para elektoratit. Kjo nuk është përgjegjshmëri për atë që duhet të jetë e ardhmja me standarte europiane e Shqipërisë. Kjo është vetëm makutëri. Kjo është vetëm një qeveri që në çdo tender vijnë mesazhet kush do ta marri, si do ta marri. Anulloje këtë, fut këtë. Hiq atë dokument, fut këtë dokument. Sepse nuk funksionon shteti.
Shteti juaj që krijuat E-Albania, kush do t’i bëjë? SMS-të e zëvendëskryeministrit, e e kryeministrit, e ministrave tuaja. Kjo është Shqipëria dixhitale.
Shqipëria e SMS-ve. Dixhitalizimi qenkan SMS-të. Shqipëria e SMS-ve. Nga emailet që vinin në zëvendëskryeministrin e kaluar e në ministra nga Klodian Zoto, që i thoshte çfarë duhet të bënit, kaluat, avancuat në SMS-të se çfarë duhet të bëjnë drejtorët. Ky është shteti. Shteti i maileve nga të kërkuarit, shteti i SMS-ve nga të arrestuarit. Dhe ky është buxheti. Se të gjitha ato para që janë abuzuar, që thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit, 9 miliardë e 810 milionë euro deri në prill. Ku vetëm periudha janar-prill ka 10 milionë euro abuzime. Që në fakt është vetëm ato që janë audituar dhe sa institucione të tjera të cilat do të duhet të auditohen. Kryeministri juaj nuk auditohet. Nuk auditohet. Sepse kërcënon, sepse kanë frikë, sepse e tha vetë kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Japin dorëheqjen se duan të ruajnë familjen. Japin dorëheqjen sepse kanë frikë që të shkojnë dhe të zbatojnë ligjin në një vend ku ligjin e bën vetëm Maliqi. Në një vend ku ligji është vetëm interesi i kryeministrit. Në një vend ku ligjin nuk e njeh për qytetarin, po njeh vetëm për qeveritarin. Në një vend ku ligji në fakt është bërë gjëja që shkelet më shumë.
Nëse e ke me ligj një të drejtë, atëherë nuk e ke fare. Kjo është bërë mënyra se si funksionon Shqipëria. Ndaj ne jemi kundër këtij projektbuxheti, jemi kundër këtij projektkalendari, jemi kundër shkeljes së rregullores së kuvendit, jemi kundër shkeljes së kushtetutës dhe do të jemi, kemi qenë gjithmonë pro interesit publik, pro qytetarëve, pro familjes, pro pensionistëve, për një sistem që i përgjigjet”, u shpreh Zhupa.
Gazeta RD