Berisha: Në asnjë nga direktivat e BE nuk flitet për përkatësi të shumëfishtë gjinore! Ju kërkoni të përmbysni familjen dhe vlerat e saj

Gjatë seancës së sotme plenare, Kryetari i PD, Sali Berisha sulmoi ashpër projektligjin për barazinë gjinore, duke e cilësuar si një nismë ideologjike që synon të përmbysë rendin tradicional shoqëror, familjar dhe fetar në Shqipëri. Berisha deklaroi se ligji bazohet në “doktrinën post-marksiste” dhe në ndikimin e grupeve “sorosiane” që kanë pushtuar shtetin shqiptar.

Berisha argumentoi se projektligji shkel Kushtetutën dhe Kodin e Familjes, sepse e zëvendëson konceptin tradicional të familjes së bazuar në burrë dhe grua me “përkatësi të shumëfishta gjinore” dhe “gjini me diversitet të gjerë”. Berisha paralajmëroi se kjo nismë “përmbys vlerat e librave të shenjtë, moralin, dhe të drejtën e prindërve për edukimin e fëmijëve të tyre”.

“Të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo seancë është një seancë krejt tjetër nga çdo seancë që keni ndjekur gjer sot.

Këtu kanë sjellë një ligj të quajtur në thonjëza për barazinë gjinore, por një ligj kryekëput ideologjik, i cili bazohet absolutisht në përmbysjen e rendit gjinor binar shekullor dhe mijëvjeçar.

Në përmbysjen e familjes dhe vlerave të saj.

Në përmbysjen e librave të shenjtë dhe moralit të tyre.

Në përmbysjen e të drejtës prindërore për edukimin e fëmijës së tij.

Në përmbysjen e çdo standardi të njohur gjer sot.

Theksoj dhe ritheksoj një mijë herë se do mbetem i paepur në bindjet e mia dhe në programet e partisë për barazinë midis burrit dhe gruas, për barazinë midis nënës dhe babait, midis motrës dhe vëllait.

Por, pikërisht kjo barazi sot zhduket.

Sot merr goditjen më fatale sepse kjo barazi e bazuar në binaritetin grua dhe burrë, femër dhe mashkull, nënë dhe baba, tashmë transformohet në përkatësi të shumëfishta gjinore.

Tashmë transformohet në gjini me diversitet të gjerë duke përmbysur Kushtetutën e Shqipërisë, nenet themelore të saj të lirive dhe të drejtave të njeriut, të lirisë së besimit, të të drejtave të prindërve mbi fëmijët e vet.

Përmbyset kodi i familjes dhe kodet e tjera.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, ky ligj i doktrinës post-marksiste, ekstremit të majtë më të rrezikshëm të kohërave, sepse Marksi nuk shkoi më përçudnimin dhe transfigurimin e familjes.

Marksi përcaktoi shkatërrimin e pronës private për ndërtimin e njeriut të ri.

Kushti i Marksit për njeriun e ri, ishte njeriu pa pranë.

Kushti i post-marksistëve për njeriun është njeriu pa familje.

Qytetarë dhe qytetare, sillet në emër të direktivave të BE. Ekspertë të shquar kanë pohuar se nga 10 direktiva të BE, në asnjërën prej tyre nuk flitet për përkatësi të shumëfishtë gjinore.

Në asnjërën prej tyre nuk flitet për gjini me diversitet të gjerë.

Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit.

I kërkoj të nderuarit ambasador të nxjerrë cila direktivë e BE e kërkon një gjë të tillë.

T’u thotë shqiptarëve, se direktivat janë aty.

Sepse ky ligj, është hedhur poshtë në 21 vende anëtare të BE.

Sepse ky ligj, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016.

Sepse ky ligj, de facto, u mohon prindërve të drejtën e edukimit të fëmijëve të tyre bazuar në dhuntinë që u ka dhënë Zoti, vajzë apo djalë. Apo natyra për ata që nuk besojnë Zotin.

Sepse ky ligj, gjobit udhëheqësit fetarë, shpirtërore, në qoftë se ata besimtarëve do u parashtrojnë mësimet e Kuranit, Biblës, Talmudit.

Sepse ky ligj, de facto, në shoqërinë post-marksiste godet familjen, godet identitetin familjar të bazuar në bizaritetin biologjik.

Pra, çfarë kanë bërë ky grup sorosianësh që ka pushtuar shtetin shqiptar?

Edhe ajo që erdhi, e rritur, e mëkëmbur dhe e pasuruar familjarisht me fondet e monstrës së njerëzimt, Xhorxh Soros, dhe tani këtë ligj kërkojnë ta votojnë në ora 2 të natës.

E kanë vendosur në pikën 17.

Këtë ligj, i cili de facto përmbys Kodin e Familjes, që sanksionon se familja bazohet në gruan dhe burrin, në nënën dhe babain.

Por tani duhet të shkruhet në përkatësi të shumëfishta gjinore, në gjinitë me diversitet të gjerë.

Ky ligj i hap rrugën krijimit të fermave të grave, të cilat do lindin fëmijë të askujt.

Është vazhdimi i ligjit që refuzuam këtu parlamentin tjetër.

Nuk ka ndodhur ndonjëherë që komunitetet fetare të vijnë të na protestojnë me aq zemërim para parlamentit si sot.

Po riktheni Kushtetutën ateiste të Enver Hoxhës dhe po i jepni ngjyra evropiane.

Nuk ka asnjë lidhje me direktivat evropiane.

Dhe ata që e paraqesin, u kërkoj njerëzisht të na thonë ku është direktiva, ku shkruhet në dokumentet e BE për përkatësinë e shumëfishtë gjinore apo për gjini me diversitet të gjerë.

Në cilin dokument është e shkruar kjo? Në asnjë.

Duan të marrin rastin e veçantë, t’ia imponojnë shoqërisë.

Edhe ai që ka mbrojtur ligjin, edhe ai ka pasur historinë re tij familjare, ka bërë ndryshimin. Ne respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por ne nuk përmbysim shoqërinë kurrë për këtë.

Kjo që bëni ju.

A e di pse i bëni këto o zotëri?

I bëni për të shpëtuar se jeni mafia më e rrezikshme në Europë.

Dhe ata, të cilët duhet t’u denoncojnë ju për shkak të këtij ligji, u mbrojnë ju.

A e di pse e bëni këtë ju?

Se jeni hajdutët më të mëdhenj në Europë, dhe ata të cilët duhet t’u denoncojnë ju, për shkak të këtij ligji u mbrojnë ju”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Bardhi: Balluku nuk mund të fshihet as pas frikës që ka kapur “Palloshin” që e ka marrë peng!

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar sërish ndaj zv.kryeministrja Belinda Balluku, …