Kryetari i PD, Sali Berisha, ka reaguar ndaj punës së Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) dhe raportit të tij, duke theksuar se paditë që kjo institucioni ka dorëzuar në SPAK po përballen me të njëjtin fat si paditë e opozitës, ato ndyhen për pazare në sirtarët e tyre.
Në fjalën e tij në Kuvend, Berisha ka vlerësuar punën e KLSH për denoncimin e abuzimeve të qeverisë, por ka kritikuar faktin se shumica e dosjeve për korrupsion dhe krime elektorale janë bllokuar dhe nuk kanë marrë trajtim të duhur.
“Zoti kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Unë u falënderoj ju, punonjësit e këtij kontrolli, të cilët në traditën e paraardhësit, keni vazhduar në kushte jashtëzakonisht të vështira, betejën për transparencë për të mbrojtur interesat jetike të qytetarëve shqiptarë.
Nuk ka punë pa të meta dhe defekte, opor është në meritën tuaj të madhe kur informuat shqiptarët se në 9 muaj ishin vjedhur dhe shpërdoruar rreth 900 milionë.
Ishin vjedhur dhe shpërdoruar pra, fiks i gjithë fondi vjetor i pagave të rrogëtarëve të shtetit. Kaq është shuma. Bilë pak më pak.
Ishin vjedhur dhe shpërdoruar fiks i gjithë fondi vjetor i pensioneve për shqiptarët.
Po.
Kontrolli juaj u bë një avokat i fuqishëm i mbrojtjes së interesave të qytetarëve.
Ju keni meritën e faktimit për herë të parë se si Edi Rama, që vraponte nga një studio në një studio tjetër, me një bisht gërshërë dhe një pincë të thyer për të justifikuar vjedhjen e tmerrshme mbi të sëmurët shqiptarë, se si ky vetëm për sterilizimin e rriti çmimin e sterilizimit 84 herë, në një kohë kur ligji kërkon që koncesioni të sjellë kosto më të ulët, shpenzime më të pakta.
Ju keni dorëzuar me dhjetëra e dhjetëra dosje të abuzimeve masive të ministrave në SPAK.
E vërteta është se shumica dërrmuese e tyre, kanë pasur në atë institucion, që unë dua ta respektoj, por nuk më lejojnë, fatin e padive të opozitës.
Ky është realiteti.
Ne kemi dorëzuar në atë institucion vetëm për krime elektorale mbi 95 dosje.
Ne kemi dorëzuar për korrupsion me dhjetëra e dhjetëra dosje.
Por dosjet e opozitës dhe dosjet e KLSH ndryhen për pazare në sirtarët e tyre.
Unë vlerësoj punën që ju keni bërë në denoncimin e abuzimeve të tmerrshme me ilaçet e të sëmurëve.
Iku zonja, ajo bëri një zotim, por ia mbathi.
Unë do e përgëzoja atë nëse do mbante zotimin.
Se nuk ka gjë më kriminale se të lësh tjetrin në kthetrat e vdekjes duke mos i dhënë ilaçin.
Ai përbën krim kundër njerëzimit në konventat ndërkombëtare. Por ajo ia mbath”, tha Berisha.
Gazeta RD