Maxhoranca rrëzoi kërkesën e e opozitës për mocion me debat lidhur me gjëndjen skandaloze në spitalin e onkologjikut. Kërkesa u rrëzua me 54 vota kundër e 26 pro.
Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, deputeti i PD, Bardh Spahia renditi një sërë faktesh alarmante të evidentuara edhe në raportin e KLSH.
Bardhi tha se shumica parlamentare refuzon një mocion me debat të kërkuar nga opozita për këtë çështje urgjente, duke e akuzuar atë se po e kthen parlamentin në një “shtojcë të ekzekutivit” ku nuk lejohet kontrolli dhe debati.
“Ky debat nuk ishte për ne, por për shqiptarët, për të bërë transparencë mbi situatën dramatike në spitalin onkologjik, e cila kërkon reagim urgjent”, u shpreh ai.
Gjendja përshkruhet si një “kolaps i shërbimit”, ku pacientët përballen me mungesa të theksuara, duke filluar nga shtretërit për kimioterapi, deri te pajisjet jetike që nuk funksionojnë. “Brakiterapia nuk punon prej tre muajsh, akseleratorët linearë funksionojnë me ndërprerje, mamografia dhe ekografia nuk bëhen, ndërsa ‘PET Scan’ nuk ekziston fare”, denoncoi deputeti.
Deputeti kritikoi qeverinë se në vend që të investojë në barna dhe pajisje, ka preferuar “propagandën dhe fasadat shumëngjyrëshe”, duke theksuar se ndërsa buxheti për onkologjinë ka rënë, ai për koncesione dhe konsulenca është rritur.
Në fund të fjalës, ai paraqiti një sërë kërkesash, përfshirë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, transparencë të plotë për buxhetin e barnave onkologjike, rishikim të menjëhershëm të protokolleve klinike dhe rritje të buxhetit për spitalin.
Gazeta RD