Na i kurseni urimet e Pashkëve dhe të Bajramit

Nga Mark PASHKJA

Ligji i shumëpërfolur për barazinë gjinore u miratua. Ashtu shpejt e shpejt, në orët e vona të natës, pa diskutim dhe me një shpejtësi rrufe. Shtatëdhjetë e shtatë burra dhe gra votuan një ligj sipas të cilit gjinia nuk përcaktohet më nga tërësia e tipareve natyrore që dallojnë mashkullin nga femra, por nga rolet e ndërtuara në kontekstin shoqëror. Ne që e refuzojmë, na thonë se nuk e kemi lexuar ose nuk e kuptojmë.

Është shumë e çuditshme sesi, pas çdo drafti që ndryshonte dy a tri herë — për të mos ndryshuar në thelb fare — individë dhe aktivistë të komunitetit LGBTQ+ përpiqeshin të na bindnin se nuk është ashtu siç duket. Megjithatë, ligji kaloi.

Të gjithë deputetët që e miratuan nuk duhet të harrojnë se, përpara se të jenë politikanë, janë ose do të jenë prindër. Në rastin më të thjeshtë, edhe ata vetë vijnë nga prindër mashkull e femër — nga nënë dhe baba. Hapësirat që ky ligj lë për deformime të mëvonshme, në këtë kontekst, janë mëse të qarta. Mos harroni se liria e ndërgjegjes është gjëja më e shenjtë për njeriun dhe ajo i jep atij dinjitetin.

Në raste festash fetare ju kam parë tek përpiqeni me shumë kujdes të gjeni foto kishash apo xhamish; po aq kujdes tregoni edhe në zgjedhjen e fjalëve për të uruar Bajramin apo Pashkët. Por ky ligj që miratuat është krejt e kundërta e asaj që predikohet në këto institucione dhe që përcillet përmes këtyre festave.

Nëse arrini të gjeni fjalët e duhura për t’u justifikuar, mos harroni: Zoti e di të vërtetën. Atë nuk mund ta gënjejmë. Ai e di se ka vetëm një të vërtetë.

Nuk dua dhe nuk kam për qëllim të mas fenë, besimin apo mosbesimin e askujt, por ju lutem — të paktën për Bajram e për Pashkë, na i kurseni urimet. Heshtja vlen më shumë se hipokrizia.

About Redaksia

Check Also

Enveri ia asgjësoi Shqipërisë vlerat intelektuale, Piktori ia zhvati ato materiale

Nga Kim MEHMETI ‘Shqipritë’ tona shenjë njohëse kanë popullin e varfër dhe politikanët e pasur. Pra …