Presidenti amerikan Donald Trump, ka mbajtur një fjalim në Miami, ku ka përsëritur qëndrimet e tij kundër politikave që mbështesin komunitetin transgjinor dhe edukimin mbi identitetin gjinor në shkolla.
Në fjalimin e tij, Trump deklaroi se gjatë administratës së tij kishte nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të ndaluar financimin federal për çdo shkollë që “shtyn teori të rrezikshme gjinore apo kritike racore”. Ai theksoi gjithashtu se kishte “ndaluar plotësisht ndërhyrjet kimike dhe kirurgjikale te fëmijët” duke iu referuar trajtimeve për personat transgjinorë.
“Ne ndaluam gjymtimin kirurgjikal dhe kimik të fëmijëve tanë. Kush do ta kishte imagjinuar 15 vite më parë se do të flisnim për diçka të tillë?”, tha Trump para mbështetësve të tij.
Në vijim të fjalimit, ai u ndal edhe te çështja e pjesëmarrjes së personave transgjinorë në sportet femërore, duke e quajtur “të padrejtë dhe absurde” këtë praktikë. “Ne i kemi larguar burrat nga sportet e grave. Është mbyllur kjo çështje,” u shpreh Trump, duke shtuar me tone ironike se disa rekorde sportive janë thyer “nga meshkuj që garojnë si femra”.
Në përmbyllje të fjalimit, presidenti theksoi se politika zyrtare e administratës së tij do të jetë “që ekzistojnë vetëm dy gjini, mashkull dhe femër”, duke e cilësuar këtë si “rikthim në të vërtetën biologjike dhe mbrojtje të grave”.
Deklaratat e Trump kanë shkaktuar reagime të forta në SHBA. Përkrahësit e tij e kanë vlerësuar si qëndrim për “mbrojtjen e fëmijëve dhe sportit të ndershëm”, ndërsa kritikët e akuzojnë për retorikë diskriminuese dhe përhapje të urrejtjes ndaj komunitetit LGBTQ+.
Gazeta RD