Nga Iva V.GRILLO
Të kishte qënë zonja Kos kaq e shpejtë, produktive dhe hazër-xhevape në reagimet ndaj diskriminimit të shqiptarëve të thjeshtë nga një qeveri kleptomane dhe tërësisht e korruptuar, nuk do ishte thartuar kaq keq demokracia shqiptare dhe shteti i së drejtës.
Duket se Zonja Kos&co ka një nocion shumë të ngushtë përsa i përket barazisë dhe diskriminimit, si koncept. Të hidhesh pupthi vetëm për barazi e diskriminim gjinor në një vend ku gëlon pabarazia e diskriminimi i qytetarëve të thjeshtë para ligjit, në trajtimin mjekësor, në shërbime sociale, etj, në një qeveri ku behet deti kos e vidhen fondet e BE ditën për diell, është sikur të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit…
Përsa i përket përfaqësuesit të BE në Shqipëri, besoj se Zoti Gonzato ka aftësinë që të mbrohet vetë dhe ti dalë për zot pozicionit të vet para shqiptarëve.
Zoti Gonzato është ai që nuk ka denjuar t’u kthejë asnjë përgjigje letrave dhe thirrjeve të aktivistëve shqiptarë -disa nga të cilët
kanë vuajtur dhe në burgjet komuniste, shumë të shqetësuar për gjendjen aktuale të demokracisë dhe kapjes së shtetit në Shqipëri nga klika në pushtet.
Zoti Gonzato ka bërë zgjedhjet e veta për të reaguar për tema që i shikon prioritare, psh të flasë për koncerte e ahengje në javën pas zgjedhjeve problematike të 11 Majit, apo të tregojë detaje të jetës së tij personale (pa e detyruar askush) dhe nga ana tjetër të heshtë për tema të tjera të cilat me sa duket nuk i sheh si prioritare…siç është narkoshteti dhe përdorimi i Shqipërisë si kosh pastrimi parash për shembull.
Ndaj besoj se Zoti Gonzato ka gjithë kapacitetin që të komunikojë vetë edhe me opozitën shqiptare, nëse ndihet i fyer apo i lënduar nga pohimi i tyre se i pranojnë zgjedhjet e tij personale, por presin disi më shumë nga ai.
Në fakt do të ishte një fillim i mirë i marrëdhënies së Zotit Gonzato me opozitën, duke qënë se ka patur një marrëdhënie fare të munguar … deri në nivelet e një diskriminimi të hapur ndaj opozitës shqiptare do të thoja (sidomos kur sheh përqafimet e pllaquritjet e zotërisë me përfaqësuesit e pushtetit…).

Gazeta RD