Kryetari i PD, Sali Berisha, ë mbledhjen e grupit parlamentar tha se, ligji për barazinë gjinore është një përmbysje që e çon Shqipërinë drejt post-marksizmit ekstrem. Ai akuzoi qeverinë se po përdor këtë ligj për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe për të goditur opozitën, ndërsa theksoi se disa vende të Bashkimit Europian dhe madje edhe gjykata të larta ndërkombëtare e kanë rrëzuar legjislacionin e ngjashëm.
“Dhe ne sot duhet të diskutojmë për përgjigjen që do i japim kësaj gjendje të pashembullt që nuk ka ekzistuar ndonjëherë.
Së treti, duhet të ndalem pak tek ligji.
Ligji është një përmbysje e renditur juridik të Shqipërisë.
Është një përmbysje që e çon Shqipërinë absolutisht drejt post-marksizmit ekstrem.
Ligji kërkon që, ndër të tjera, barrën e provës ta ketë i akuzuari dhe jo akuzuesi.
Në qoftë se ka një nen që shërben si neni i luftës të të gjithëve kundër të gjithëve, dhe ky parim i doktrinës së ekstremit marksiste, çdo njeri që nuk i pëlqen këtij apo atij, mjafton të nxisë një punonjës apo dikë që të thotë se më diskriminoi dhe ky duhet të provojë se nuk e ka diskriminuar.
Kjo është përmbysje.
Përveç kësaj, siç keni lexuar dhe dëgjuar, është shkatërrimtar për sistemin arsimor.
Faktikisht ua merr fëmijët prindërve nga fuqia edukuese e tyre.
Vendos censurën dhe ne duhet të jemi shumë të shqetësuar se një stinë censure që filloi në SHBA dhe që është përhapur edhe në Europë, është absolutisht një rrezik madhor për demokracinë kudo që ndodhet.
Në Departamentin e Shtetit u krijua njësia anticensurë.
Erdhën dhe e krijuan edhe në Shqipëri, në Ministrinë e Jashtme.
Në vizitën e tij në Shqipëri, zoti Blinken, të vetmen marrëveshe, përveçse t’u thoshte shqiptarëve se Edi Rama është një udhëheqës i jashtëzakonshëm, ishte firmosja e ngritjes së drejtorisë së censurës dhe pastaj krijimi i komisionit të censurës në parlament.
Çfarë tregoi hetimi që bëri Kongresi amerikan?
Hetimi tregoi se këto njësi merreshin me censurën, as të rusëve, as të kinezëve, por thjesht të kundërshtarëve, të gazetarëve, televizioneve dhe portaleve konservatorë.
Kjo u faktua.
Ky ligj ka nenin e censurës.
Do të flasë urata për Adamin dhe Evën apo hoxha për Ademin dhe Ajshen, ata i thonë jo, dënohesh, nuk është kjo origjina. Është tjetër.
Pra, kanë vendosur ligjin e censurës.
Gazetarët nuk e kuptuan, nuk e kanë lexuar ligjin.
Kanë kthyer nenin e censurës.
Tani, disa çështje janë çështje të ndërgjegjes.
Martin Luteri ishte një prift i thjeshtë, por u bë njeriu ndoshta ndër më të pavdekshmit e të gjitha kohërave, jo për tezat e reformimit, por për qëndrimin para konklavit.
Konklavi do ta hidhte në turrën e druve dhe ai u tha, kam shkruar vetëm ato që burojnë nga ndërgjegja ime dhe nuk ndryshoj asgjë.
Çfarë dua të them me këtë?
Nuk mund të ndryshojë njeriu bindjet e tij, as morale, as fetare që ka.
Nuk kemi bindje diskriminuese ne.
Këto ditë kanë qarkulluar në media një deklaratë të ish-kryetarit të shoqatës LGBT se Berisha na ka ndihmuar.
Absolutisht me ndërgjegje dhe vendosmëri i kam ndihmuar sepse jam kundër çdo diskriminimi.
Por kjo nuk do të thotë të fusim kazmën.
Kam qëndruar dhe qëndroj kundër diskriminimit.
Po jo në këtë mënyrë.
21 vende anëtare të BE nuk e kanë kaluar këtë ligj.
Prisni.
Të themi se kjo është politikë. Mirë. Po e ka hedhur poshtë ligjin Gjykata Kushtetuese franceze.
E ka hedhur poshtë.
E hodhi poshtë Gjykata Supreme amerikane.
Dhe vetë Gjykata Europiane e Drejtësisë në Luksemburg thotë se problemi i gjinisë nuk buron nga e drejta evropiane. Nuk buron nga e drejta e Bashkimit.
Atëherë?
Mirë ti ke bërë këtë ligj, po pse e përjashton debatin nga ky ligj?
Si e përjashton debatin nga ky ligj.
Dhe pastaj merr dhe monton një seri mekanizmash për të sulmuar opozitën.
Ua them përsëri këtu shembullin e Martin Luterit, njeriu për ato që i ka në ndërgjegje, ato i mbron dhe do i mbrojë gjithë jetën pa asnjë lloj hezitimi.
Sikundër nuk i them atij mos mbro ato që mendon.
Dhe në qoftë se këta nuk po kryenin këto që themi ne me ligj, do ta debatonin. Do na thonin ne jo, nuk është censura.
Por se është censura.
Po si mund ta pranojmë ne censurën?
Miq, një gjykatës amerikan, e kishte paditur qeveria e presidentit Trump, i tha: Kushtetuta është për të mbrojtur urrejtjen.
Se ishte paditur që ka shprehur urrejtje.
Kushtetuta është për të mbrojtur urrejtjen zotëri.
Pra, duhet t’i dëgjojmë ata që janë gardianë të të drejtave dhe ligjeve.
Por këta e mbyllën në mënyrën më të turpshme, nuk lejuan diskutimet, krijuan ato që u interesonte”, u shpreh Berisha.
Gazeta RD