Berisha: Opozita në parlament po privohet nga e drejta kushtetuese për të kontrolluar ekzekutivin!  

Kryetari i PD, Sali Berisha në fjalën e tij në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar tha se, opozita në parlament po privohet nga e drejta e saj kushtetuese për të kontrolluar ekzekutivin dhe zbatimin e ligjit.

“Mblidhemi sot në këtë mbledhje jashtë radhe apo të jashtëzakonshme të grupit parlamentar për shkak të një situate të jashtëzakonshme në të cilën ne ndodhemi për shkak të vendosmërisë të pandalshme të narkoqeverisë për të shtypur me të gjitha potencialet opozitën dhe opozitarizmin.

Për ta shndërruar atë në një vegël apo në një instrument pa vlerë për asnjë funksion për qytetarët, mbrojtjen e interesave të tyre, për t’ia mbyllur asaj gojën, de facto për ta asgjësuar atë politikisht si forcë politike parlamentare.

Ne jemi dëshmitarë që me seancën e fundit u bënë 10 seanca parlamentare në të cilat qeveria në 9 prej tyre i mohoi opozitës çdo debat për çdo çështje që erdhi në parlament, duke filluar nga programi i qeverisë, miratimi i Këshillit të Ministrave, duke përfunduar tek miratimi i buxhetit dhe çdo gjë tjetër.

Ju jeni dëshmitarë sepse në 10 seanca ka pasur vetëm një seancë me debat dhe kjo ka qenë seanca ku është diskutuar për institucionet e drejtësisë.

Janë kaluar ligje, projektvendime, akte normative dhe në asnjërën prej tyre në mënyrë absolute nuk është lejuar opozita të debatojë, të marrë fjalën, të paraqesë mendimet, të mbrojë interesat e zgjedhësve të saj që kanë votuar kundër një qeverie si kurrë ndonjëherë në historinë 33-vjeçare të parlamentit pluralist.

Nuk ka ndodhur kurrë sepse nuk mund të ndodhë si rregull.

10 seanca parlamentare ku vetëm në njërën opozita ka pasur mundësi të shprehet.

Dhe, të mos harrojmë, 10 seanca parlamentare të paraprira nga qindra mbledhje komisionesh, në të cilat opozita ka marrë pjesë në mënyrën më serioze. Në të cilat opozita është përkushtuar me seriozitetin më të madhe për të paraqitur objeksionet, sugjerimet, propozimet për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

Pra, me gjithë këtë punë shumë serioze që ju keni bërë në komisionet parlamentare- dhe më serioze shumë se puna e të tjerëve- por kur vjen puna pas komisioneve në aulën e parlamentit, Edi Rama urdhëron të mbyllë mikrofonat për opozitën.

Me gjithë kontrollin e jashtëzakonshëm që ka në media, kontrollon më shumë, më lehtë lajmet që dalin nga komisionet parlamentare, por rikthimi apo mbyllja i veprimtarisë në komisione, një veprimtari shumë serioze e deputetëve të opozitës, has në asgjësimin e të drejtës së tyre për të debatuar për ligjet, për projektet, për vendimet që janë miratuar në ato komisione. Që janë hedhur poshtë në ato komisione.

Janë bërë 10 seanca në të cilat si kurrë ndonjëherë në histori, ministrat nuk lejohet të vijnë në interpelanca.

Janë bërë 10 seanca që refuzohet çdo mocion me debat. Të drejta të sanksionuara në Kushtetutë këto për opozitën.

Janë bërë 10 seanca, refuzohen në mënyrë antikushtetuese të gjitha kërkesat e opozitës për komisione hetimore parlamentare.

Pra, opozita privohet jo vetëm nga e drejta, por nga detyra e saj themelore për të kontrolluar ekzekutivin, për të kontrolluar zbatimin e ligjit.

Nuk mund ta kryejë këtë.

Në tërësi ministrat nuk refuzojnë vetëm interpelancat, por refuzojnë edhe paraqitjen para komisioneve.

Dhe nxjerrin mbi parlamentin ata që nuk mund të jenë kurrë, zëvendësministrat apo drejtorët.

Në parlament, deputetëve u mohohen të drejtat më themelore që Kushtetuta dhe rregullorja e parlamentit u garanton atyre.

Opozita trajtohet si një vasale e partisë-shtet me të cilën ajo mund të bëjë ç’të dojë”, u shpreh Berisha.

 

About Redaksia

Check Also

Bardhi: Balluku një javë iu fsheh edhe SPAK-ut, por nuk mund t’i fshihet dot as Kuvendit dhe as Prokurorisë!

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas mungesës së zëvendëskryeministres …