Nga Iva V.GRILLO
Komisioni i Etikës paska përjashtuar sot Kryetarin e opozitës nga Kuvendi për një periudhë 10 ditore.
Arsyeja: sepse në komentet e tij lidhur me projektligjin mbi barazinë gjinore (tashmë të kthyer në ligj), i ka thënë publikisht përfaqësuesit të BE, Zotit Gonzato që pavarësisht se respekton sensibilitet dhe zgjedhjet personale të gjithkujt (detaje të të cilave zoti Gonzato, ndryshe nga parardhësit e vet i ka ndarë vetë me publikun), do të ishte mirë që shqiptarëve të mos u imponoheshin nocione e ligje që as në direktivat e BE nuk përfshihen në mënyrën se si u kërkohen shqiptarëve.
Një deklaratë ndoshta jo aq “diplomatike” sa “diplomacia” që jemi mësuar të shohim vitet e fundit, ku Shqipërisë që është nën thundrën e krimit e autokracisë i thuhet se po “shkëlqen”…por gjithsesi një deklaratë që që duket që shpreh më së miri frustrimin dhe distancën e krijuar mes realitetit “diplomatiko-distopik” dhe atij në terren.
Zoti Gonzato, ashtu si edhe parardhësit e vet e kolegët në organizata të tjera aktive në Shqipëri, ka krijuar profilin e vet, jo thjeshtë si përfaqësues i BE në Tiranë, por edhe në bazë të çështjeve për të cilat ka berë më shumë “tifo”/dalje publike dhe intensitetit me të cilin ka ngritur tema të caktuara.
Në këtë kuadër askush nuk mund të mohojë se pavarësisht emëruesit të përbashkët si përfaqësues të BE-së në Tiranë, ka një ndryshim të madh të themi midis profilit të Zotit Soreca që ishte i dhënë pas shëtitjeve me biçikletë, përurimeve, ahengjeve tek sheshi Skënderbej, etj dhe zonjës Hohmann që e pasoi, e cila megjithëse ndenji vetëm disa muaj në detyrë, mbahet mend për seriozitetin me të cilën u mor me ndjekjen e (sh)përdorimin e fondeve të IPARD në Shqipëri.
Në këtë kuadër dhe Zoti Gonzato do apo nuk do, ka krijuar profilin e vet qoftë prej temave që ka zgjedhur të shtyjë përpara me intensitet ashtu edhe prej intervistave personale që ka dhënë (ndryshe nga kolegët e vet të mëparshëm) duke dashur të ndajë eksperiencat e veta jetësore me publikun shqiptar, që mesa duket shpesh e konsideron edhe të pagdhendur duke pasur parasysh se jo rrallë merr përsipër t’i spjegojë dhe “a,b,c” e komunikimit njerëzor.
Prandaj, Zoti Gonzato nuk ka pse ndihet aspak i fyer nëse publiku shqiptar e sheh të asociuar dhe investuar më shumë me tema të cilat ai vetë i ka promovuar, qoftë si përfaqësues i BE-se, qoftë si një individ që ka hapur zemrën me shqiptarët.
Në këtë aspekt, do të ishte në nderin e Zotit Gonzato që t’i kërkonte Komisionit të Etikës së Parlamentit Shqiptar që t’a anullonte sa më parë masën disiplinore ndaj liderit të opozitës, si një furtunë në gotë… dhe të mos t’a lërë veten që në një shtet autokratik e të korruptuar si Shqipëria, të bëhet një sebep shtesë që opozitës t’i mbyllet goja edhe më shumë.
Tani është momenti që Zoti Gonzato të tregojë me vepra përkushtimin e tij për tolerancën, gjithëpërfshirjen, pranimin e ideve ndryshe dhe mbi të gjitha mos trajtimin e opozitës si një dele të zezë…siç ka bërë deri tani.
Unë kam shpresë që Zoti Gonzato do na surprizojë dhe do t’i vërë në veprim gjithë ç’ka predikuar deri tani!
Gazeta RD