Analisti Fatos Lubonja ka komentuar në News24 hetimet e SPAK lidhur me zëvendëskryeministren Belinda Balluku si dhe për projektet infrastrukturore, duke e cilësuar situatën si një “zullum të trashur” që kërkon ndërhyrje urgjente të drejtësisë.
Lubonja theksoi se, kryeministri Rama nuk mund të justifikohet më për korrupsionin e vartësve se “hanë dardha pas shpine”.
“Kjo është një ngjarje që e nxjerr lakuriq dhe Ramën sepse është rasti i parë që është shumë vështirë që Rama të thotë se kanë ngrënë kumbulla prapa meje. Sepse ata të tjerët janë akuzuar për gjëra që nuk lidhen direkt me Ramën, si inceneratori apo akuza të tjera për Beqajn, për Tahirin dikur apo Ahmetajn, këtu kemi të bëjmë me një gjë direkt të lidhur me Ramën. Se askush nuk mund të thotë se atë kompani turke që ndërtoi spitalin për fushatë elektorale Ramës e ka tërhequr ai për t’i dhënë ato para jo Balluku, marrëveshja e kapos me vartësit e saj”.
Ai shtoi se është detyrë e SPAK të hetojë në të gjitha drejtimet, përfshirë edhe aspektin e sigurisë së tunelit të Llogarasë.
“Ka gjetur njeriun që sapo i thotë të bëhet kjo, ajo angazhohet. Ka gjasa që Balluku mund t’i ketë thënë se do të them më ke dhënë urdhër ti. Këtu nuk është problemi çfarë thotë Balluku, por çfarë thotë SPAK. Këtu është qartazi që është bërë bashkë Rama-Balluku. Unë mendoj se është detyrë e SPAK të hetojë në të gjitha planet dhe për sigurinë e tunelit”, tha Lubonja.
Lubonja sjell dhe rastin e një eksperti i cili tha për tunelin e Llogarasë, “të mjerët shqiptarë”.
“Unë kam një përvojë me atë tunel, një njeri i besueshëm kohë më parë më ka thënë se një ekspert italian ka thënë “të mjerët shqiptarë”. Italiani ka thënë se është kursyer edhe hekuri për të hedhur betonin. Edhe plasjet janë bërë jo si duhet, i kanë bërë në mënyrë më të shpeshtë, jo sipas procedurës. Kjo krahas korrupsionit 50 milionë euro. Këtu është trashur zullumi”, tha Lubonja.
Gazeta RD