Fitorja e radhës

Arlind BAJAJ

Fitorja e radhës e Partisë Socialiste në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, ka qenë kryefjala e politikës shqiptare gjatë këtyre ditëve. Disfata e radhës e Partisë Demokratike; Zhgënjimi nga populli opozitar; Kandidat i pavarur, tezë e pa konfirmuar nga demokratët. Si edhe shumë tema të tjera të ngjashme që vërtiten rreth këtyre zgjedhjeve, duket se në thelb kanë një dhe vetëm një qëllim të përbashkët.

Edhe pse thjesht një fitore e radhës për ta, urdhrat politikë për televizionet nga Nëna Parti, jepen njësoj sikur Shqipëria të ishte anëtarësuar në Bashkimin Europian. Do të ishte vërtet një lajm i bujshëm nëse do të ndodhte gjatë këtij shekulli. Por, aferat korruptive, kandidatët e përfshirë në banda kriminale si edhe kushtet vite-dritë larg shteteve të perëndimit, sigurisht që nuk mund ta lejojnë lehtësisht këtë lajm.

Për t’u kthyer përsëri te temat e përsëritura në këtë periudhë paszgjedhjore, nuk mund të lihet pa përmendur situata e nderë në bashkinë më të madhe të vendit. Zgjedhjet e anuluara në Bashkinë e Tiranës me urdhrin e “Shefit të MADH” vijnë fill pas ngjarjeve të njëpasnjëshme në partitë opozitare. Bashkimi i partive opozitare të djathta, kandidati i pavarur i mbështetur nga partitë e djathta, besimi i ngjallur te populli, exit poll-et për zgjedhjet e Bashkisë së Tiranës, etj., duket se nuk u përballuan ashtu si duhet në kampin e “Shefit”.

Përkundrazi, ai nguli këmbë për një vendim që kthente në jetën politike sërish armikun e tij, vetëm e vetëm të mos humbte bashkinë më të madhe të vendit. Sigurisht që nuk kishte si të ndodhte ndryshe, por emisionet e menaxhuara nga “Shefi i MADH” kërkojnë të sjellin pesimizëm te votuesit opozitarë për zgjedhjet e radhës, me anë të analistëve që duan të bëjnë opozitarin ndërkohë që kërkojnë poste e marrin rroga nga partia në pushtet.

Gjithsesi, analiza politike është e domosdoshme, sidomos pas ngjarjeve me peshë në politikë, siç janë zgjedhjet. Mirëpo, analiza politike është për zgjedhjet apo për situatën politike të një partie të vetme?

Duke marrë si shembull bashkinë e Vlorës, si votues në këtë bashki, por edhe si bashkia më e madhe në këto zgjedhje, kandidati/ja i/e partisë në pozitë, pas një fushate të jashtëzakonshme, arriti të fitojë një rezultat prej gati 80% të votave (78.44%). Rezultat ky i ngjashëm me të gjitha zgjedhjet presidenciale të shekullit të fundit në Bjellorusi, por me asnjë shtet të botës perëndimore. E përsëri, askush nuk flet për këtë fakt, por të gjithë vazhdojnë të urojnë kryetarin/en e ri/e.

Sigurisht që një tjetër fakt që vlen për t’u përmendur është edhe pjesëmarrja e ulët në shkallë degradimi në çdo qendër votimi në këtë bashki. Pjesëmarrja më e ulët e shënuar në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, justifikohet nga kryetari/ja i/e ri/e, pastërtia e të/së cilit/ës vlen ende për t’u diskutuar, si një problem për shkak të reshjeve të shiut. A thua se nuk ishin vlonjatë por filipinezë ata që me indiferentizmin më të madh, shijonin pijet e tyre në lokalet e LungoMare-s së “llahtarshme”.

E nëse do të ngeleshim te analiza politike që shumë “analistë” bëjnë, do të thoja se po, sigurisht që faji për këtë rezultat është i opozitës (një pjesë e madhe). Pasi pavarësisht të gjitha rrethanave, është ajo që duhet të përballet me gjithfarë frymori që i del përpara. Pa pyetur për rrethanat, njerëzit, presionet, administratën e detyruar apo çfarëdo kushti, edhe nëse nevojitet reformim i brendshëm, largime, takime, pranime gabimesh, bisedime, korrigjime apo risi.

About Redaksia

Check Also

Mediat italiane zgjedhin të bojkotojnë samitin e Romës

Nga Alba KEPI Romë Samiti i Romës duhej të ishte një ngjarje e madhe politike e …