Korrupsion edhe në rrugën Qukës-Qafë Plloçë! Dy muaj pas përurimit fillon degradimi!

Pa kaluar dy muaj nga përurimi i rrugës kombëtare Qukës-Qafë Plloçë nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku janë shfaqur për herë të dytë shenjat  degradimit.

Rruga e re u inauguruar më 5 shtator, por pak ditë pas inagurimi u shfaqën shenjat e para të punimeve me cilësi të dobët, pasi rruga u shemb në disa vende. Nga shembja e masivit shkëmbor u bllokua një prej tre korsive të segmentit rrugor, ndërsa rrëshqitja e gurëve dhe dherave ka vijuar.

Rrëshqitje dherash u regjistruan edhe të mërkurën në mesditë në fillim të aksit, duke bllokuar një pjesë të rrugës. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por ngjarja ka shtuar shqetësimet për sigurinë e këtij investimi gjigant.

Ky aks rrugor, i cili u planifikua si një ndër investimet më të rëndësishme strategjikisht për lidhjen Lindje-Perëndim, kushtoi 260 milionë euro dhe u ndërtua gjatë 14 viteve të fundit. Por përsëritja e rrëshqitjeve, vetëm pak javë pas një rrëshqitjeje tjetër shkëmbore që bllokoi njërën korsi për orë të tëra, hedh dyshime serioze mbi projektimin, mbikëqyrjen dhe cilësinë e ndërtimit.

Kompania kontraktore ka ndërhyrë menjëherë për pastrimin e rrugës, ndërsa punimet për stabilizimin e terrenit vazhdojnë. Por fakti që problemi shfaqet në një segment që duhej të ishte “i sigurt” tregon se nuk është çështje e rastësisë, por një dështim sistematik në çdo fazë të realizimit të projektit: nga planifikimi dhe projektimi, te ndërtimi dhe kontrolli i cilësisë.

Në vend që të lehtësojë lëvizjen dhe të përshpejtojë zhvillimin ekonomik të zonës, rruga Qukës-Qafë Plloçë po kthehet në shembull të mungesës së përgjegjësisë dhe menaxhimit të dobët të fondeve publike. 260 milionë euro, shifra marramendëse që duhet të garantonte një aks të qëndrueshëm dhe të sigurt, nuk kanë arritur të parandalojnë këto dëmtime që shfaqen që tani.

Rruga Qukës-Qafë Plloçë duhet të shërbejë si një paralajmërim për të gjithë institucionet, investimet e mëdha nuk janë një garanci për cilësi nëse mungojnë transparenca, mbikëqyrje e rreptë dhe standarde të larta ndërtimi.

Ndryshe, pas 14 viteve punë dhe 260 milionë eurove të shpenzuara, ajo që do të mbetet nuk do të jetë rruga që lidh Lindjen me Perëndimin, por një kujtesë e shtrenjtë e dështimit dhe keqmenaxhimit.

Image

Image

Image

About Redaksia

Check Also

Manifest ideor i të djathtës shqiptare (vazhdim)

Nga Nikola KEDHI IIC. Shteti i së Drejtës: Ligji si kufi i pushtetit, jo si …