Mediat italiane zgjedhin të bojkotojnë samitin e Romës

Nga Alba KEPI
Romë

Samiti i Romës duhej të ishte një ngjarje e madhe politike e mediatike, një moment për të dhënë qartësi. Ishte përcjellë si një moment ku dy liderë do të jepnin mesazhe të forta, por ndodhi e kundërta: mediat italiane zgjodhën ta bojkotojnë samitin.

Jo një bojkot i zhurmshëm, por një bojkot edhe më i rëndë, ai i indiferencës. Në vend që ta trajtonin si një ngjarje shtetërore me peshë, ata e reduktuan në disa rreshta. Në vend të analizave të thella mbi marrëdhëniet dypalëshe, patëm vetëm një fokus gati brutal: dështimi i paktit për migrantët.

Ndërsa liderët pozonin, mediat heshtnin. Ndërsa protokolli përpiqej të prodhonte solemnitet, gazetarët nuk pranuan të luanin rolin e korit të duartrokitjeve. Ata zgjodhën të kalonin shpejt mbi ceremoninë dhe t’i kthehen çështjes që i intereson realisht publikut: përse një projekt i shpallur si historik nuk po funksionon?

Ky bojkot ishte një sinjal i qartë: lidershipi nuk merr vëmendje vetëm me foto dhe deklarata. Mediat nuk mund të maskojnë boshllëkun e rezultateve. Dhe mbi të gjitha, ato nuk janë më të gatshme të konsumojnë shfaqje politike që nuk mbështeten nga realiteti.

Samiti i Romës u shndërrua në shembullin më të qartë se kur politika performon, por nuk prodhon, publiku dhe mediat nuk i blejnë më pozat e një tapeti të kuq. Në fund të ditës, nuk ka rëndësi sa bukur janë vendosur karriget apo sa të qeshur duken liderët në fotografi. Ka rëndësi vetëm një gjë: çfarë funksionon dhe çfarë jo.

Dhe mediat italiane sapo dhanë gjykimin e tyre: pakti nuk funksionon, prandaj as samiti nuk meriton më shumë se kaq.

Njëri prej kryeministrave e përdori takimin për të akuzuar gjyqësorin, burokracinë dhe gjithçka tjetër rreth vetes përveç vetes. Tjetri kërkoi të ruante imazhin e partneritetit, ndërkohë që e vërteta është se projekti i përbashkët është i ngecur dhe i mbuluar nga dyshime. Të dy u shfaqën të gatshëm të pozonin, por jo të ballafaqoheshin me realitetin.

Dhe këtu hyn elementi më i fortë dhe më i hidhur: mediat italiane e bojkotuan këtë shfaqje. Jo duke e injoruar plotësisht, por duke e ulur në minimum dhe duke mos e trajtuar si një ngjarje të rëndësishme diplomatike. Aty ku liderët kërkuan vëmendje, mediat u kufizuan në një kënd të ngushtë: dështimin e paktit për migrantët.

Në vend t’i jepnin hapësirë protokollit, ato e zhveshën ngjarjen deri në kockë dhe nxorën vetëm thelbin: një marrëveshje e shpallur si historike që nuk po funksionon. Ata nuk ndoqën lojën e fotove të bukura.

E bojkotuan spektaklin dhe i rikthyen vëmendjen dështimit.

Qe Samiti i dështimit!

About Redaksia

Check Also

Fitorja e radhës

Arlind BAJAJ Fitorja e radhës e Partisë Socialiste në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, …