“Në Londër kontrollojnë pothuajse të gjitha pikat e shitjes së drogës, janë protagonistë në trafikun botëror të kokainës”, thotë prokurori i përgjithshëm i Napolit në intervistën e dhënë për Nello Trocchia, i dërguar i gazetës Domani, të botuar në librin Invincibili, nga shtëpia botuese Rizzoli. Një hetim mbi pushtetin dhe bizneset sekrete të mafies shqiptare.
Kur pyetet nëse është ekzagjerim që Shqipëria të quhet “narko-shtet”, ai përgjigjet: “Jo, përkundrazi.”
Kam folur me disa sipërmarrës, njohës të Shqipërisë. Automjete luksoze, pallate shumëkatëshe, resorte… disa e quajnë Dubain në portat e Europës. Si do ta përkufizonit atë vend dhe nivelin e luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave?
Sot, grupet kriminale shqiptare disponojnë kapitale gjigante dhe mund të mbështeten në mbrojtje e përkrahje brenda strukturave institucionale. Ata përdorin vazhdimisht korrupsionin, duke u shfrytëzuar nga teknologjitë më moderne informatike. Ndryshe nga mafiet e tjera që nuk investojnë në territoret e origjinës, grupet kriminale shqiptare riciklojnë fitimet e tyre në industri të ndryshme dhe sektorë sipërmarrës të vendit të tyre dhe janë gjithnjë e më të orientuar drejt pushtimit të tregjeve të reja.
Shqipëria është bërë një lloj “Eldorado” i fluksit të parave të gatshme. Sot, paratë cash transferohen përmes sistemeve të vjetra, por të dobishme, si hawala, dhe përdoren edhe në Europë falë asimetrive në kufizimet ligjore të përdorimit të tyre, që ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Si e gjykoni sistemin ligjor të luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri?
Është një sistem që duhet përmirësuar. Nuk është në nivelin më të avancuar. Do të duhet të luftohen lidhjet mes kriminalitetit dhe sektorëve politikë-ekonomikë, korrupsioni, si dhe të forcohet sistemi i sekuestrimeve dhe konfiskimeve të pasurive me origjinë të paligjshme. Për më tepër, është e domosdoshme të garantohet izolimi i plotë i të dënuarve të rrezikshëm për të shmangur komunikimin e tyre me grupet kriminale jashtë, dhe është jetike të reformohet dhe përmirësohet sistemi gjyqësor për t’i ruajtur integritetin dhe efikasitetin, duke e mbrojtur nga korrupsioni dhe ndikimet politike.
Megjithatë, diçka po ndryshon, falë ekipeve të përbashkëta hetimore. Për shembull, kohët e fundit kanë përfunduar në burg disa narkotrafikantë të rëndësishëm shqiptarë, disa prej të cilëve kanë vendosur të bashkëpunojnë me drejtësinë. Me deklarimet e bashkëpunëtorëve të parë të drejtësisë shqiptare, niveli i hetimeve po rritet, me rezultate të rëndësishme në luftën kundër pastrimit të fitimeve të paligjshme.
Në të kaluarën e afërt, disa vëzhgues dhe ish-presidenti Sali Berisha e quanin Shqipërinë një narco-shtet. A është një ekzagjerim?
Jo, përkundrazi. Grupet shqiptare filluan të trafikonin marijuana, më pas heroinë, falë lidhjeve me mafien turke dhe në fund kokainë, për të cilën janë shndërruar në ndërmjetës ndërkombëtarë. Fitimet nga këto aktivitete u kanë dhënë grupeve shqiptare fuqi të mëtejshme ekonomike dhe politike. Ata kanë shumë ngjashmëri me ‘Ndrangheta-n, nga familjarizmi te kodet e rrepta të sjelljes, bazuar në besën, ndjenjën e nderit dhe fjalës së dhënë; nga aftësia e infiltrimit në strukturat ekonomiko-financiare te ndikimi mbi sektorin politik-administrativ.
Në librin tim protagonistë janë narkotrafikantë që nga burgu planifikojnë vrasje, menaxhojnë trafikun, urdhërojnë hakmarrje. Çfarë roli ka mafia shqiptare në Europë?
Shumë të fortë. Është e pranishme në portet e Roterdamit, Antverpit dhe Hamburgut; menaxhon pjesën më të madhe të kokainës së shitur në Europë dhe kontrollon pothuajse të gjitha pikat e shitjes në Londër. Është një nga organizatat kriminale që po rrit me shpejtësi peshën e saj ndërkombëtare, duke konsoliduar kontrollin mbi rrugët e trafikut, veçanërisht në sektorin e drogës, prostitucionit dhe armëve. Falë një strukture shumë të mbyllur dhe lidhjeve sinergjike me grupe të tjera transnacionale, klanet shqiptare kanë arritur të depërtojnë në tregje legale dhe ilegale, duke rritur influencën e tyre jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë e më gjerë.
Sa lëndë narkotike arrijnë të kapin autoritetet italiane (në përqindje)?
Është e vështirë të përllogaritet, por nuk duhet të kalojë 10–15 për qind.
Çfarë marrëdhëniesh ka mafia shqiptare me mafiet italiane?
Është bërë partnere tregtare e ‘Ndrangheta-s, falë së cilës ka arritur të rrënjoset në Amerikën Latine, sidomos në Ekuador, Kolumbi dhe Brazil. Ka lidhje edhe me organizatat kryesore kriminale transnacionale që veprojnë në Europë, Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut dhe po shikon me interes në rritje tregjet aziatike dhe australiane.
Sa ndikon ekonomia ilegale në atë legale? Dhe a po bën Europa mjaftueshëm?
Shifrat flasin qartë: në Europë konfiskohet më pak se 2% e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme. Pjesa tjetër hyn me një lehtësi të frikshme në ekonominë legale. Duhet bërë më shumë, duke unifikuar strategjitë e luftës. Duhet goditur rrjeti i “ndihmuesve” dhe ndërmjetësve që shpesh janë baza e strategjive të reinvestimit të kapitaleve mafioze.
Në karrierën tuaj të gjatë, kur e kuptuat se mafia shqiptare po bëhej dominante?
Që të paktën dhjetë vjet më parë. Kam thënë vazhdimisht se grupet shqiptare nuk janë më ata që dikur dhunonin vilat në veri të Italisë. Prej kohësh, ata kanë hyrë në qarkun e madh të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke u bërë një fuqi ekonomike dhe financiare, siç e tregojnë investimet në Shqipëri që po ndryshojnë fytyrën e qyteteve si Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Vlora.
Në Romë, “kolona romane” e shqiptarëve ka vrarë, trafikuar, torturuar, importuar tonelata me kokainë dhe s’ka asnjë dënim për mafien. Sa prapa jemi në planin gjyqësor?
Shumë prapa, sidomos në luftën kundër mafieve jo-autoktone, të cilat ende nënvlerësohen. Në rastin e grupeve shqiptare, mund të them se ato kanë të gjitha karakteristikat e mafieve tona: nga kontrolli i territorit, sidomos në rajonet e veriut dhe qendrës, te aftësia për të ofruar shërbime dhe garantuar siguri. Përveç mbledhjes së një konsensusi në rritje, ato mbështeten në një omertà të rrënjosur dhe krijojnë lidhje gjithnjë e më të forta me sipërmarrës, politikanë dhe profesionistë.
Gazeta RD