Buxheti 2026/ Bardh Spahia: Shëndetësia në rënie të lirë, qytetarët të braktisur!

Projektbuxhetin e vitit 2026 opozita e ka cilësuar si një dokument që “i kthen shpinën qytetarëve shqiptarë” dhe e zhyt vendin edhe më thellë në krizë, veçanërisht në sektorin jetik të shëndetësisë.

Deputeti Bardh Spahia tha se, buxheti i ri është “thellësisht i padrejtë” dhe nuk shërben për zhvillim, por për të thelluar disbalancat dhe për të financuar kontrata korruptive e PPP të pafundme. Spahia theksoi se ky buxhet ul standartet e jetesës dhe e largon Shqipërinë edhe më shumë nga Bashkimi Evropian, pavarësisht propagandës së qeverisë që e paraqet si më të madhin në 35 vitet e fundit.

Fjala e deputeti Bardh Spahia

Asgjë më mirë se ato pamje nuk flet për rëndësinë që një shtet i zhytur në krim dhe në korrupsion i jep gjës më të shtrenjtë që kanë qytetarët shqiptarë, shëndetit të tyre. Mashtroni sikur po rritni rroga e pensione, ndërkohë që njerëzit e ndershëm mezi kapin fundin e muajit. Identifikoheni si shtet, por në fakt, në asnjë vend të botës nuk ndodh që zëvendëskryeministra, ministra, kryetarë bashkish, drejtorë pa fund, përfundojnë pas hekurave dhe ai që i emëron bën sikur s’din asgjë.

Vetëdeklarohet si i pafajshëm, sikur nuk di asgjë, por në fakt është porositësi i çdo vjedhje dhe bashkëpunimi në krim në këtë vend. Sot diskutojmë për dokumentin më të rëndësishëm të vitit. Buxhetin e 2026-ës. Dokumentin që do të duhej të përcaktojë zhvillimin, mirëqenien, shërbimet dhe dinjitetin e çdo qytetari. Por për fat të keq, sot jemi përpara një projektbuxheti që i kthen shpinën qytetarëve shqiptarë. Një buxhet që ul standartet dhe e largon Shqipërinë edhe më shumë nga Bashkimi Evropian.

Qeveria e ka propaganduar këtë buxhet si më të madhin në 35 vite. Por e vërteta është se ky buxhet është thellësisht i padrejtë. Nuk është buxheti i zhvillimit, por buxheti i xbalancimeve. Nuk është buxhet për njerëzit, por një buxhet që rrit kontratat korruptive, shpenzime operative të qeverisë me PPP të pafundme. Nëse ka një tregues që mat seriozitetin e çdo qeverie, ai është shëndetësia. Dhe këtu pamja është krejtësisht e qartë. Sipas vetë pohimit të ministres së shëndetësisë në komision, buxheti për vitin 2026 për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale është vetëm 2.9% e prodhimit të brendshëm bruto, nga 3.7% që ishte vitin aktual. Jo vetëm që kemi ulje krahasuar me vitin 2025, por jemi edhe nën nivelin e vitit 2013, në fundin pra të qeverisjes së Partisë Demokratike, ku ishte 3.4%. Për 12 vite me radhë, qeveria Rama nuk arriti të përmbushë as premtimin elektoral të shëndetësisë me 5% të prodhimit të brendshëm bruto, e as të rritej më shumë sesa qeveria e Partisë Demokratike.

Ndërkohë, në vendet e rajonit, shëndetësia financohet gati dy herë më shumë dhe mesatarja e BE-së është mbi 10% e prodhimit të brendshëm bruto. Përqindjet e vendeve janë të shënuara dhe mund të gjinden kollaj. A mund ta quajmë këtë model social? A mund ta quajmë këtë prioritet? Natyrisht që jo. Kjo është një tërheqje nga përgjegjësia. Është braktisje e qytetarit. Ndërkohë që shpenzimet e përgjithshme të shtetit rriten me 6.6%, shëndetësia rritet vetëm me 2.2%, plot tre herë më pak.

Pesha e shëndetësisë në buxhetin e përgjithshëm bie nga 9.7% për vitin 2025, në 9.3% për vitin e ardhshëm. Kjo nuk është thjesht shifër në letër. Kjo është një rënie e cilësisë së jetës. Kjo do të thotë më pak fonde për spitalet rajonale, më pak për qendrat shëndetësore, më pak për pajisje, për barna, për mjekë dhe infermierë. Do të thotë pritje të gjata, mungesë trajtimesh, mungesë dinjiteti. Kryeministri Rama premtoi se do të krijonte një fond të posaçëm prej 15 milionë euro barna onkologjike. Por në të vërtetë, çfarë do të ndryshojë në shërbimin onkologjik të QSUT-së? Në fakt asgjë. Nuk do të ndryshojë asgjë në spitalin onkologjik. Spitali është në kushte, në kushte mjerane. Ka nevojë urgjente për një rikonstruksion, për kushte higjeno-sanitare bazike, për trajtim dinjitoz.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Adriatik Doçi është gjobëvënës që merr udhëzime nga Linda Rama, Sokol Balluku ka marrë miliona nga Lubia! 

Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës në Foltoren në degën e PD në Njësinë …