Nga Iva V.GRILLO
Në intervistën e saj të fundit me Deutsche Velle, pyetjes së gazetares se çfarë mendimi ka zonja Kos për faktin se dy zv-kryeministra shqiptarë, zëvendës të “Edit të dashur”, janë në proces hetimi, të akuzuar për korrupsion, ajo u përgjigj: “jemi të kënaqur që u zbuluan”…
Një përgjigje në nivelet e qesharakes nga ana e një përfaqësuesi të institucioneve europiane.
Shqiptarët kanë një dekadë që zbulojnë pothuajse çdo vit nga një bashkëpunëtor të afërt të kryeministrit që ka lidhje me krimin apo me korrupsionin.
Kjo nuk është diçka e re, kjo është tashmë një normë që duhet të vinte në alarm çdo përfaqësues të Evropës që kanalizon fonde të BE-së në Shqipëri.
Ekzaltimi i zonjës Kos për aktivizimin e vonuar të SPAK dhe dalja e saj në përfundime qesharake, fsheh në të vërtetë një mungesë të madhe në qëndrimin dhe vizionin e saj si përfaqësuese e institucioneve ndërkombëtare: faktin se kudo tjetër, një kryeministri që rrethohet rregullisht nga një çetë hajdutësh e kriminelësh, të paktën do t’i viheshin disa pikëpyetje serioze nga Zonja Kos dhe shokët e saj.
Pyetjet bazike që duhet t’i lindnin çdo evropiani të zakonshëm (dhe sidomos zonjës Kos) në këtë rast do të ishin:
– Si ka mundësi që “Edi i dashur” mbledh rreth vetes vetëm njerëz të korruptuar?
– Përse në çdo rast, janë njerëzit e tij më të besuar që akuzohen për afera?
– Si ka mundësi që ai i mbron gjithnjë ata në fillim duke tallur e denigruar çdo denoncues e më pas i lëshon në kohën që e sheh të arsyeshme, me “shpërthim të kontrolluar”?
-Çfarë përgjegjësie ka “Ali Baba” i kësaj çete të korruptuarish që edhe si të pandehur nga burgu bëjnë bé për kokën e “Edit të dashur”?
– Sa ditë (apo orë) do kishte qëndruar në detyrë Kryeministri i një vendi sado modest europian nëse rekordet e skandaleve do të ishin sa 1/100 e skandaleve të “Edit të dashur” të Zonjës Kos?
Disa pyetje fare bazike këto për çdo evropian, por që për çudi as nuk shihen gjëkundi në narrativën e zonjës Kos…e cila duket se po kënaq shqiptarët me sagën e “zbulimit dhe kundër-zbulimit”.
Po të vazhdohet me teorinë e zonjës Kos, Shqipëria do të vazhdojë “të zbulojë” bë dekadat e ardhshme për çdo vit nga një kokë zv-kryeministri e krye-bashkiaku keqbërës…sepse për aq kohë sa ekziston koka e krimit, po aq do ekzistojnë edhe zëvendësit dhe ndihmësit e tij.
Afërmendsh moj Zonja Kos…

Gazeta RD