Deputetja e PD, Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë për dështim sistematik në mbrojtjen e shtresave më të varfra dhe refuzim të ligjit për minimumin jetik.
Tabaku tha se, pas 13 vitesh në pushtet, mazhoranca nuk siguron një jetesë dinjitoze për qytetarët, ndërsa 40% e shpenzimeve familjare shkojnë për ushqime, çmimet e të cilave kanë arritur në 92% të nivelit të Bashkimit Evropian. Pensionistët janë sot shtresa më e varfër, 55% e familjeve nuk mbyllin dot muajin dhe një rritje prej 20 lekësh në ditë për pensionistët cilësohet nga deputetja si fyese dhe e pamjaftueshme.
Fjala e Tabakut në Kuvend
Të nderuar kolegë,
Gjatë muajve të fundit Partia Demokratike ka prezantuar kërkesa me mocion për debat për fusha të ndryshme.
Duke nisur nga situata e rendit dhe e krimit të organizuar, duke vazhduar me shqetësimin e zgjedhjeve, po njëkohësisht dhe me minimumin jetik.
Dua t’ju kujtoj të gjithëve që minimumi jetik ka qenë një propozim ligjor i Partisë Demokratike për disa legjislatura me radhë, por nga ana tjetër ka qenë edhe një kërkesë që ne e kemi sjellë sa herë që është miratuar buxheti.
Qeveria shqiptare e majtë në fakt, në vitin e 13-të të mandatit të saj, nuk siguron dot një minimum jetik për qytetarët.
40% e shpenzimeve familjare sot janë ushqimet.
Në qoftë se çmimet e ushqimeve ishin 20% e atyre të Bashkimit Evropian në vitin 2012, sot janë 92% e çmimeve të Bashkimit Evropian.
Sot pensionistët janë shtresa më e varfër.
Qeveria përsëri dhe me këtë buxhet refuzon që të ngrejë pensionet.
Sot grupet sociale janë shtresa më e varfër.
Shqipëria mbetet e fundit në rajon edhe për mbështetjen e grupeve sociale.
Në të gjitha statistikat, Shqipëria është e fundit në Ballkanin Perëndimor.
Në të gjithë treguesit.
Shqipërisë i duhen 53 vite për të arritur standartet që ka Bashkimi Evropian në kriterin ekonomik.
Dhe kjo ka vetëm një emër, kjo ka vetëm një përgjegjës, kjo ka vetëm një arsye, është kjo qeverisje.
Në 13 vitet e fundit asnjëherë ky parlament nuk është mbledhur për të menduar për shumicën.
Asnjëherë ky parlament nuk ka diskutuar një politikë, një mbështetje sociale që vjen në ndihmë të grupeve më të dizavantazhuara të ekonomisë.
Dhe minimumi jetik është një kërkesë ligjore që ky parlament ka detyrimin ta miratojë.
Në momentin që flasim ka, është llogaritur dy herë minimumi jetik, në vitin 2016 dhe në vitin 2022.
Në të dy herët llogaritja e minimumit jetik tregon që 55% e familjeve shqiptare nuk mbyllin dot muajin.
55% e familjeve shqiptare kanë vështirësi ekonomike.
55% e familjeve shqiptare sot janë nën këtë minimum jetik.
Një çift i pensionistësh, një çifti normal i duhet mbi 90.000 lekë për të jetuar një muaj në qytetin e Tiranës.
Dhe çfarë bën qeveria shqiptare?
A sjell me këtë buxhet ligjin për detyrimin e minimumit jetik?
A sjell me këtë buxhet ligjin dhe detyrimin për të barazuar të paktën mbështetjen sociale të Shqipërisë me vendet e Ballkanit Perëndimor?
Jo, përsëri refuzon që ta bëjë këtë.
Shifrat janë të qarta, treguesit janë të qartë.
Sot Shqipëria duhet patjetër që të mbyllë këtë hapësirë që ekziston ndërmjet të ardhurave të shqiptarëve me ato të rajonit, të të ardhurave të shqiptarëve me Bashkimin Evropian.
Pa siguruar minimumin jetik kjo nuk ndodh.
Një pension fshat sot është 6.000 lekë.
Çfarë mund të bëjë një pensionist fshati me 600 lekë?
Dhe çfarë thotë qeveria shqiptare?
Do ju a rris 20 lekë në ditë.
Çfarë mund të bëjë një pensionist me 20 lekë më shumë në ditë?
Kush ka prindër në shtëpi që marrin pensionin, çfarë mund t’i bëjë më shumë 20 lekë në ditë?
Çfarë, si mundet një pensionist që të jetojë e të mbyllë muajin me 20 lekë në ditë?
Ky parlament është mbledhur e ka miratuar shumë ligje në favor të pakicës.
Ka miratuar ligje, kanë kaluar këtu kontrata koncesionare.
Ka miratuar ligje të cilat kanë qenë në dëm të qytetarëve.
Kemi miratuar aeroportin e Vlorës.
E keni miratuar në fakt, se ne nuk e kemi votuar.
Keni kaluar portin e Durrësit.
Keni kaluar ligje që kanë mbështetur industri të veçanta.
A keni ardhur ndonjëherë dhe jeni mbledh në këtë sallë për të diskutuar se si mund të ndihmojmë shtresat sociale?
Është një angazhim që e keni marrë edhe si rezultat i objektivave të mijëvjeçarit.
Është një angazhim që duhet ta merrni edhe ndaj votuesve tuaj së pari. Besoj që sot në qoftë se ka një problem Shqipëria lidhet pikërisht me varfërinë.
Në qoftë se ka një problem Shqipëria lidhet me pamundësinë që kanë familjet shqiptare.
Kjo është arsyeja që ato po largohen.
E dini kush është merita kryesore që ka kjo qeverisje?
Nga 500.000 pensionistë sot janë 675.000 pensionistë të cilët jetojnë në mëshirën e qeverisë.
Edhe bonusin e fundvitit që çdo pensionist merrte, qeveria me një të rënë të lapsit ja ka fshirë.
E ka menduar që ta shpërndajë këtë në çdo, në çdo muaj.
E quan këtë rritje pensionesh.
Ndërkohë që çmimet e shportës janë rritur nga 30 deri në 60%.
Ndërkohë që Shqipëria ka rritjen më të lartë të çmimeve si rezultat edhe i korrupsionit, edhe i taksave të larta, edhe i paaftësisë së qeverisë, po njëkohësisht edhe si rezultat i pamundësisë për t’i ofruar këtyre shtresave ligjin dhe propozimin për minimumin jetik.
Menjëherë mbas miratimit të buxhetit, Partia Demokratike do ta sjellë edhe një herë këtë propozim ligjor.
Do ta sjellë si një detyrim moral ndaj qytetarëve, do ta sjellë edhe si një detyrim ndaj të gjithë atyre që presin që ky parlament të miratojë ligje në mbështetje të tyre.
Do ta sjellin edhe si detyrim për të plotësuar standartet e munguara ekonomike dhe sociale.
Po do ta sjellin edhe si një detyrim ndaj të gjithë atyre qytetarëve që sot e kanë të pamundur që të jetojnë këtu e zgjedhin që të largohen.
Minimumi jetik do ta vendosë Shqipërinë, propozimi ligjor për minimumin jetik do ta vendosë Shqipërinë në hartën e vendeve të cilën e kanë këtë.
Vendet e tjera të rajonit e kanë.
Vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë.
Pse refuzon qeveria socialiste që ta miratojë minimumin jetik?
Për këtë arsye ne kërkuam një debat për këtë çështje.
Kërkuam një debat për të parë cilat janë shifrat financiare, cilat janë hapësirat e buxhetit, sepse buxheti i ka të gjitha mundësitë.
Buxheti i ka të gjitha mundësitë që të miratojë minimumin jetik.
Buxheti sot është një nga buxhetet më të vjedhura, me një faturë të partneriteteve publike private e cila shkon sa gjysma e produktit të brendshëm bruto dhe e gjitha është në hetim.
Buxheti sot e ka mundësinë me një faturë e cila shkon për bujqësinë po nuk paguhet për bujqit.
Një faturë e cila duhet të ishte te infrastruktura po nuk paguhet për infrastrukturën.
Me 50 milionë euro që është taksa e korrupsionit të tunelit të Llogarasë, mund të ishte mbuluar dy herë fatura e pensionistëve.
Me taksën e korrupsionit të inceneratorëve, 430 milionë euro, mund të ishte mbuluar katër herë fatura e pensioneve.
Me taksën e korrupsionit të projekteve të tjera të partneritetit publik-privat e të koncesioneve, duke nisur nga portet e aeroportet, mund të ishin rritur pensionet e sot do ishim në standardet e Bashkimit Evropian.
Po çdo gjë nis nga minimumi jetik.
Pa përcaktuar minimumin jetik, pa i dhënë dinjitet qytetarëve, pa i dhënë atyre mundësinë që të jetojnë jo me lëmoshën e shtetit, po të jetojnë me një pagesë dinjitoze, unë besoj që çdo diskutim tjetër është i kotë.
Kështu që e kuptoj refuzimin e Partisë Socialiste për të mos pasur debat as për minimumin jetik, as për pensionet, as për çështjet sociale.
Gazeta RD