Deputetja e PD, Ina Zhupa ka reaguar në lidhje me situatën e përmbytjeve dhe në qytetin e Sarandës dhe të Konispolit. Ajo shkruan se, si pasojë, disa biznese dhe familje janë përmbytur, ndërsa e gjithë fusha nga Çuka deri në hidrovor ndodhet nën ujë, po ashtu brenda në Çukë ka familje të përmbytura.
Zhupa apelon për vëmendje urgjente nga shteti, ndihmë dhe masa të menjëhershme për të parandaluar dëme të mëtejshme dhe për të mbështetur familjet e prekura.
Reagimi i Ina Zhupës
Situatë e rëndë e përmbytjeve edhe në Sarandë e Konispol
Çarja e argjinaturës në Çukë që mbronte tokat nga prurjet e bashkimit të Bistricës me lumin e Kalasës ka shkaktuar dëme të mëdha. Si pasojë, disa biznese dhe familje janë përmbytur, ndërsa e gjithë fusha nga Çuka deri në hidrovor ndodhet nën ujë, ku edhe brenda në Çukë ka familje të përmbytura.
Janë përmbytur të gjitha bizneset në zonën e Palit, si edhe tokat bujqësore dhe fermat blegtorale, duke lënë banorët përballë humbjeve të konsiderueshme.
Ndërkohë përmbytje masive ka edhe në fushat e Konispolit në Çiflik, Shkallë, Mursi, Xarrë dhe Vrinë. Situata është rënduar si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Pavëll.
Kjo situatë kërkon urgjentisht vëmendje nga shteti, ndihmë dhe masa të menjëhershme për të parandaluar dëme të mëtejshme dhe për të mbështetur familjet e prekura.
Gazeta RD