Ish-deputeti Genc Pollo ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Pollo thekson se debati mbi ligjshmërinë e vendimit të GjKKO-së po e zbeh vëmendjen nga çështjet më të rëndësishme: përgjegjësia morale dhe politike e kryeministrit Edi Rama dhe heshtja brenda Partisë Socialiste për akuzat që dalin nga dosja hetimore ndaj Ballukut.
Reagim i Genc Pollos
Ligjshmëria e vendimit të GjKKO që pezulloi Ballukun është një debat që largon vëmendjen nga Çështjet e Mëdha:
Që janë:
Pse nuk ka dhënë dorëheqjen Balluku këto tre javë mbasi është marrë e pandehur dhe kanë dalë lakrat sheshit (nga dosja hetimore)?
Pse nuk flet askush në PS, përfshi edhe deputetët ‘e virtytshëm’, për bëmat e dosjes të cilat janë interes publik e jo vetëm objekt penal?
Pse nuk i kërkojnë sqarime publike ministres (paralel me mbrojtjen ligjore) për të ‘rivendosur besimin e tronditur’?
Pse nuk i kërkojnë dorëheqje siç lipset?
Pse, në mungesë të këtyre hapave nga Balluku, nuk procedojnë me përjashtimin nga grupi parlamentar e nga partia?
Pse nuk i bën këto gjëra vetë kryetari i partisë e kryeministri Edi Rama.
Kjo e fundit është pyetja strumbullar!
Gazeta RD