Pamje tronditëse nga përmbytjet në Lezhë, banorët: Hidrovorin e bllokojnë biznesmenët e mëdhenj për peshk

Deputeti i PD, Gjin Gjoni ka publikuar pamje nga zonat e përmbytura në Lezhë, ku thekson se situata mbetet kritike pavarësisht mbylljes së argjinaturës së Lagunës së Vainit.

Sipas tij, qindra banorë në Barbulloje, Rrilë, Mylte, Tale, Spiten dhe Tresh janë të izoluar prej katër ditësh për shkak të nivelit të lartë të ujit.

Banorët shprehen se, nuk funksionon hidrovori. “Hidrovorin e bllokojnë biznesmenët e mëdhenj për peshk, shteti nuk merr masa”, thonë banorët.

Ata shprehen se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti.

Gjoni falënderoi kompanitë private që u angazhuan në operacionin për mbylljen e argjinaturës, por nënvizoi se dëmet në bujqësi dhe blegtori janë të mëdha, ndërsa urgjente mbetet sigurimi i bazës ushqimore për bagëtinë dhe krijimi i mundësive të lëvizjes për banorët.

Ai akuzoi Bashkinë e Lezhës dhe institucionet vendore për mungesë veprimi në terren, duke deklaruar se ‘zgjodhën propagandën në komente dhe statuse, në vend që të ishin pranë banorëve në momente të vështira’.

Deputeti ritheksoi se, sipas tij, përmbytjet nuk janë pasojë vetëm e reshjeve, por e ‘mungesës së vëmendjes dhe keqmenaxhimit në zonën e mbrojtur të Vainit’. Sipas Gjonit, situata mund dhe duhej të ishte shmangur, ndërsa ‘pasojat po i paguajnë sot qytetarët e Lezhës’.

About Redaksia

Check Also

Berisha zgjidhet zv/President i CDI, Unionit më të madh të partive të djathta në botë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është zgjedhur Zv.President i CDI, Unionit më të madh …