Përmbytjet e ditëve të fundit kanë goditur rëndë qarkun e Beratit, ku sipërfaqe të mëdha toke, biznese, sera dhe banesa ndodhen nën ujë. Në rrjetet sociale ka reaguar sot edhe deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, i cili e cilësoi situatën si një nga më të rëndat e viteve të fundit.
Sipas Bozdos, shumë banesa janë dëmtuar rëndë, ndërsa dhjetëra familje po kërkojnë ende ndihmë për të përballuar pasojat e përmbytjeve. Ai theksoi se bizneset në qendër të Beratit, përfshirë edhe parkimin nëntokësor, janë përmbytur sërish për shkak të mostrajtimeve të vazhdueshme të shtratit të lumit Osum.
Situata paraqitet e rënduar edhe në Dimal dhe Kuçovë, ku dëmet në banesa dhe në sipërfaqet e mbjella janë të shumta. Deputeti i PD akuzoi pushtetin vendor dhe atë qendror për mungesë të plotë prezence në terren, teksa banorët kanë urgjentisht nevojë për ujë të pijshëm, ushqime, veshmbathje dhe ndihmë të menjëhershme.
Postimi i Bozdos
Qarku i Beratit po përjeton një nga situatat më të vështira të viteve të fundit. Sipërfaqe të tëra toke, biznese, sera dhe banesa janë nën ujë. Ka shumë banesa të dëmtuara rëndë dhe me dhjetëra familje vazhdojnë të kërkojnë ndihmë për tu përballur me këtë situatë.
Bizneset ne qendër të Beratit si dhe parkimi nëntokësor kanë përjetuar përsëri përmbytje, si rezultat i lënies në harresë prej shumë vitesh i trajtimit të shtratit të Lumit Osum.
Ndërkaq, në Dimal dhe Kuçovë, dëmet në banesa dhe sipërfaqe të mbjella janë të shumta.
Deri në këto çaste, prezenca e pushtetit vendor dhe atij qendror është joekzistente. Banorët kanë nevojë për ujë të pijshëm ushqime dhe veshmbathje, ndihmë të menjëhershëm.
Fermerët, pas tërheqjes së ujit, do të kenë nevojë për mbështetje për të mbjellat e shkatërruara. Qeveria duhet t`i rimbursojë ata plotësisht!
Përtej reshjeve të shumta të shiut, përmbytjet janë shkaktuar nga mungesa për vite të tëra në investime në infrastrukturë mbrojtëse, argjinatura, pastrim periodik të kanaleve kulluese.
Qeveria vendore dhe ajo qendrore duhet të marrë menjëherë masa për të furnizuar banorët e prekur me ushqime dhe veshmbathje, për të zhdëmtuar plotësisht fermerët e dëmtuar si dhe riparimin e banesave të prishura nga vërshimi i ujit!





Gazeta RD