Hetimi për Bankers Petroleum Albania, i cili tashmë ka kaluar në dorë të SPAK, ka marrë përmasa edhe më të gjera.
Burime për mediat bëjnë me dije se, çështja është zgjeruar ndjeshëm duke përfshirë hetime më të thelluara mbi zinxhirin e përgjegjësive brenda administratës tatimore dhe doganore.
Thuhet se SPAK po heton strukturat e pushtetit vendor edhe zyrtarë që dyshohet se kanë mbyllur sytë për vite me radhë ndaj abuzimeve me TVSH-në dhe detyrimet e tjera fiskale, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit humbje të konsiderueshme.
Mësohet se po hetohen vepra të ndryshme penale, përfshirë: “Krijimin e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehjen e të ardhurave”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimin e detyrës”, “Moskryerjen e detyrave nga organet tatimore”, “Korrupsionin pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendor” si dhe “Veprimtari kriminale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Hetimi për “Bankers”, filloi më 2 korrik nga Prokuroria e Fierit, ku u ekzekutuan disa masa sigurie ndaj drejtuesve të kompanisë. Në mesin e personave të arrestuar ishin CEO aktual, Hongping Xiao, dhe ish-drejtuesi Leonidha Çobo.
Hetimet lidhen me deklarime të dyshimta tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare nga 2004–2024, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar në buxhetin e shtetit.
Sipas Prokurorisë, Bankers ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, por ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh, duke shmangur tatimin mbi fitimin dhe përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.
Gazeta RD