Nënkryetari i PD dhe njëkohësisht drejtues politik i Lezhës, Agron Gjekmarkaj, foli sot në Komisionin e të Drejtave të Njeriut për situatën aktuale politke të vendit tonë.
Gjatë fjalës së tij, Gjekmarkaj u ndal te çështja e pensioneve. Ai tha se nëse qeveria nuk do të abuzonte siç ndodhi me tenderin e tunelit të Logarasë, pensionet do të ishim më të larta për qytetarët.
“Për pensionet dua të ndalem. Unë, fatmirësisht, kam dy pensionistë në shtëpi dhe e di më mirë se kushdo çfarë do të thotë të jetohet me pension apo të blihen ilaçe me pension. Në fakt, kur dëgjoj këtu të flitet, është irrituese. Ka një mospërputhje të madhe. Po të mos kishte inceneratorë, sot pensionet do të ishin më të mira. Po të mos kishte abuzim me tunelin e Llogarasë, po ashtu pensionet do të ishin më të mira”, u shpreh demokrati.
Gjithashtu Gjekmarkaj foli për situatën emergjente nga përmbytjet në Lezhë, duke thënë se nuk është marrë asnje masë nga autoritetet përkatëse.
“Sot ka një situatë emergjente dhe po flas për Lezhën. Është përmbytur gjithë zona dhe nuk ka asnjë masë. Dje isha në zonën e Lezhës: deti ka dalë deri tek banesat, duke sjellë jo vetëm përmbytje e dëme, por edhe shkatërrimin e tokave, pasi uji është me kripë dhe i kthen ato toka në tokë jo pjellore“, u shpreh Gjekmarkaj.
Gazeta RD