Deputeti i PD për qarkun e Kukësit, Isuf Çelaj, ka ngritur sot shqetësimin për një rrezik serioz që i kanoset banorëve të Fierzës dhe Tropojës, për shkak të rënies së gurëve me përmasa të mëdha në aksin Fierzë–Bajram Curri.
Sipas deputetit, një banor nga Fierza i ka dërguar një mesazh alarmues, ku thekson se në zonën e Gegëhysenit, gurë gjigantë me peshë të konsiderueshme janë në prag të rrëshqitjes në rrugën nacionale, duke vënë në rrezik jetën e banorëve që kalojnë çdo ditë në këtë segment.
Në mesazhin e banorit thuhet: “Në aksin Fierzë–Bajram Curri, në fshatin Gegëysen, gurë me tonela janë gati të bien në rrugën nacionale. Nëse bien papritur, rrezikojnë jetën e çdo banori që përdor këtë rrugë çdo ditë. Kemi njoftuar Bashkinë dhe kemi kërkuar ndërhyrje emergjente, por nuk ka pasur asnjë reagim. Nëse situata vazhdon kështu, do të organizojmë një protestë me bllokim të rrugës dhe hyrjes në HEC-in e Fierzës. Si deputet i zonës, ju kërkojmë mbështetje dhe njoftimin e instancave përgjegjëse.”
Deputeti Çelaj u bashkohet shqetësimeve të banorëve, duke i bërë thirrje strukturave shtetërore që të veprojnë menjëherë.
“Thirrja ime shkon për Emergjencat Civile, Bashkinë Tropojë dhe Njësinë e Emergjencave pranë Prefekturës Kukës që të ndërhyjnë urgjentisht për eliminimin e këtij rreziku në aksin Fierzë–Bajram Curri, në zonën e Demushajve të Gegëhysenit. Ndërhyrja nuk ka kosto të madhe dhe rreziku mund të neutralizohet brenda një dite pune,” deklaron Çelaj.
Deputeti kërkon veprim të menjëhershëm, për të shmangur një situatë që mund të kthehet në tragjedi për banorët e zonës.
Gazeta RD