Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar sërish ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se ka marrë rolin e avokatit të Belinda Ballukut në aferën e tunelit të Llogarasë.
Në një postim në Facebook, Bardhi thekson se Rama foli për më shumë se 7 minuta në podcastin e tij “Flasim vetmevete”, duke u përpjekur të justifikojë ministren e pandehur, por pa dhënë asnjë referencë konkrete nga Komisioni i Venecias apo Gjykata e Strasburgut që të mbështeste pretendimin se një ministër nuk mund të pezullohej nga detyra.
PReagimi
7 minuta e 38 sekonda foli Edi Rama, në një përpjekje të sforcuar për të justifikuar avokatinë e paprecedent të të pandehurës Belinda Balluku, që e mban peng me aferat e përbashkëta korruptive.
Risia e të folurës vetmevete ishte se Edi Rama pranoi se ai është palë në procesin gjyqësor të Belinda Ballukut, njësoj sic është palë në aferën korruptive të Tunelit të Llogarasë. E në këtë kuptim, Edi Rama ka të drejtë që prokurori i SPAK dhe gjyqtari i GJKKO duhet ta thërrasin herës tjetër si palë në korrupsion krah për krah me të pandehurën Belinda Balluku.
Gazeta RD