Deputeti Ivi Kaso, gjatë fjalës së tij në protestën e organizuar nga opozita, iu drejtua qytetarëve duke deklaruar se qeverisja aktuale është shndërruar në një barrë për vendin dhe në një rrezik për funksionimin e demokracisë.
Ai solli në vëmendje shembuj nga vende të ndryshme europiane ku, sipas tij, ministrat janë pezulluar ose shkarkuar kur janë nën hetim, duke e cilësuar si të pavërtetë pretendimin e kryeministrit se raste të tilla nuk ekzistojnë.
Kaso akuzoi kryeministrin për mbrojtje të zyrtarëve të përfshirë në çështje korruptive dhe theksoi se, nëse drejtësia vepron, përgjegjësia do të duhet të shkojë deri në nivelet më të larta të qeverisë.
Ivi Kaso: Të nderuar qëndrestarë, i nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha, të nderuar deputetë, motra dhe vëllezër demokratë, mirë se vini sot në takimin e tretë të parlamentit të qytetarëve, të parlamentit tuaj. Në janarin e vitit 81, presidenti i sapozgjedhur Regan, në ceremoninë e inaugurimit, do të deklaronte, në këtë krizë të sotme, qeveria nuk është zgjidhja, qeveria është problemi. Dhe në rast se presidenti Regan e thoshte këtë shprehje epike në një vend ku funksionon demokracia dhe ligji, për Shqipërinë tonë është ndryshe. Këtu, qeverisja sot është kthyer në hallin më të madh të shqiptarëve.
Ne nuk kemi një qeveri të popullit, prej popullit dhe për popullin, po ne kemi një bandë kaçakësh të veshur mirë që ndjekin qorrazi urdhrat e kryekaçakut, i cili ka një synim të vetëm, të vjedhë çdo gjë që Zoti ja ka falur pa kursim këtij vendi, të përzërë shqiptarët, të tallë fermerët, të katandisë arsimtarët dhe nxënësit në ditën e tyre më të zezë. Ai ka synim të shuajë çdo zë dinjitoz në këtë vend, të nëpërkëmbë çdo kritikë, ka synim që opozitën ta kthejë në shtojcë të qeverisë. Sot, kryeministri i vendit mashtron publikisht kur thotë se nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që drejtësia të pezullojë një ministër nga detyra. Krejt e kundërta është e vërtetë. E para, se në Evropë nuk ndodh që zëvendëskryeministri të jetë i pandehur dhe të merret në mbrojtje nga shefi kryeministër. Ai ose jep dorëheqjen, ose shkarkohet. Në çdo vend të botës, ligjet parashikojnë që kur shteti dëmtohet nga ndonjë bashibozuk, si ky këtu në godinën këtu mbrapa, atëherë ja se çfarë ndodh. Në Rumani janë pezulluar nga gjykata tre ministra njëherësh pasi ishin nën hetim për korrupsion. Dhe kjo pasi ish-kryeministri socialist Viktor Ponta refuzonte t’i shkarkonte.
Në Itali, ish-ministrja e bujqësisë u pezullua nga detyra dhe humbi të drejtën për funksione publike. Në Francë janë dy ministra të shkarkuar në periudha të ndryshme, njëri prej tyre ministër i brendshëm. Po ashtu në Belgjikë, Kroaci, Spanjë, dhe për të mos folur pastaj për arrestimin e ish-kryeministrit të Bosnjës në rastin e respiratorëve për pandeminë Covid-19, të cilit prokuroria i vuri prangat në zyrën e tij gjatë hetimeve. Kjo është e vërteta. Por duhet ta kemi të qartë se me refuzimin e tij për të shkarkuar Ballukun, Edi Rama po mbron vetëm veten e tij. Ai kërkon të krijojë një precedent të rrezikshëm i cili rreket të mbrojë jo vetëm atë, por çdo hajdut dhe zullumqarë pushteti në këtë vend. Komisioni i Venecias e ka shprehur qartë qëndrimin e tij se askush nuk është mbi ligjin kur bie fjala për vepra të rënda penale siç është korrupsioni. Por Edi Rama e di fort mirë se me arrestimin e Ballukut, sado e cunguar të jetë drejtësia në këtë vend, më pas do të kërkohet koka e tij.
Dhe në rast se futet në morsën e drejtësisë, ky njeri që ka uzurpuar këtë godinë do të duhet të përgjigjet edhe për shumë e shumë krime të tjera. Edi Rama është shefi i të gjithë atyre që janë sot nën hetim apo pas hekurave dhe duhet ta ndajmë njëherë e përgjithmonë. Shefi ose di dhe është i korruptuar, ose nuk di dhe është i mangët nga mend e kokës dhe nuk bën për atë punë. Në çdo rast ai duhet të iki. Edi Rama do të duhet të përgjigjet për vjedhjen me inceneratorët që nuk ekzistojnë, për tenderat e shëndetësisë që i jep miqve të vetë oligarkë, për tigrat e Vlorës, për pastrimin e parave që bëhen me firmën e tij me lejet e ndërtimit. Do t’i duhet të përgjigjet edhe për skandalin me rrugën Qukës-Qafë Plloçë që ka kushtuar 260 milionë euro të paktën dhe që u shemb nga shiu i parë. Në një qeveri të përgjegjshme, siç ishte qeveria e Partisë Demokratike, e cila e ideoi atë rrugë, ato 43 km nuk do të kushtonin asnjëherë më shumë se 90 milionë euro të cilat ishin parashikuar. Edi Ramës, në qoftë se do të vihet para përgjegjësisë së drejtësisë, do të duhet të përgjigjet edhe për grabitjen e pronave publike.
Gazeta RD