Deputetja e PD, Manjola Luku, ka lëshuar akuza të rënda ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si të dështuar në misionin e saj themelor për të garantuar mirëqenien, sigurinë dhe transparencën për qytetarët.
Duke folur para protestuesve, Luku deklaroi se, tubimi nuk ishte thjesht politik, por një thirrje për të thënë “stop” dhe për të kërkuar përgjegjësi. Ajo theksoi se atentatet e ndodhura në vend nuk janë më shenjë e dobësisë së shtetit përballë dhunës, por dëshmi e një “bashkëpunimi mes shtetit dhe bandave kriminale”, duke përmendur si shembuj ngjarjet e rënda në aeroportin e Rinasit dhe në Elbasan.
Fokusi kryesor i akuzave të deputetes ishte zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Sipas Lukut, Balluku është kapur në biseda ku bënte pazar me fondet publike.
Luka: Të dashur qytetarë, gra, burra, djem e vajza. Sot ne jemi këtu jo vetëm për një tubim politik, por jemi këtu për të thënë stop, për të kërkuar përgjegjësi dhe për të rindërtuar besimin që ky vend ka nevojë ta rifitojë. Së pari, në emër të grave shqiptare, nënave, vajzave, unë qëndroj para jush për të ngritur zërin kundër ligjeve që sot synojnë të shkatërrojnë familjet tona, ekonominë tonë, demokracinë dhe moralin kombëtar.
Ne protestojmë sepse qeveria ka dështuar në detyrën e saj më themelore, të garantojë mirëqenie, siguri dhe transparencë. Ne jemi dëshmitarë se si atentatet në Shqipëri nuk janë më thjesht rënie e shtetit përballë dhunës, por dhunë e kapur në bashkëpunim mes shtetit dhe banda kriminale, siç rezultoi nga ngjarja e rëndë në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit apo ngjarja e fundit në Elbasan, ku klithmat e së motrës ushtrojnë për vëllain e ndjerë.
A mundemi ne sot të heshtim për aferat e fundit që tronditën themelet e shtetit? Zëvendësja e Edi Ramës, Belinda Balluku, është kapur në biseda duke bërë pazar me paratë e shqiptarëve e duke vendosur nëpër kafene se si ndërtohen tunelet, si vidhen urat e se kush duhet të bëjë supervizimet qorre të objekteve pa siguri për qytetarët shqiptarë. Qindra raporte ndërkombëtare flasin për konflikt interesi, për keqpërdorim të pushtetit në Shqipëri. Sot, skandali me figurën e Belinda Ballukut dhe udhërat e Edi Ramës nuk janë çështjet e tyre private, por cënim i rëndë i interesit kombëtar të Shqipërisë që na prek të gjithëve neve.
A nuk jemi ne dëshmitarët se raporte të mediave ndërkombëtare, të cilët janë alarmuese dhe nuk duhet të injorohen. Janë këto raporte që i flasin ndërgjegjes së qytetarëve të lirë të Shqipërisë dhe që artikulojnë vendin tonë si një narko-shtet. Ne duhet ta kuptojmë një herë e mirë se sistemi ynë është i infektuar dhe se nuk mund të lejojmë që imazhi i vendit tonë të reduktohet në trafik droge, korrupsion dhe pastrim parash.
Ne nuk jemi këtu për të brohoritur pa kuptim, por për të nisur betejën për të kërkuar një shtet që respektohet, që respekton qytetarët dhe që nuk lejon që klanet e pushtetit të kapin organet drejtuese si pronë private. Shqipëria nuk është pronë e Edi Ramës dhe as arat personale të Belinda Ballukut.
Unë si deputete, si grua dhe si përfaqësuese, ju bëj thirrje që të bëhemi të gjithë bashkë, ku paralelisht, jo vetëm të protestojmë, por dhe të ndërtojmë një alternativë të re për vendin. Dhe për këtë duhen zgjedhje të lira të ndershme dhe zgjedhje të tilla me Edi Ramën kryeministër, aq më pak me Belinda Ballukun, zëvendësen e tij, nuk ka dhe nuk mund të ketë. Ju falenderoj të gjithëve.
.
Gazeta RD